Reformë e thellë deri në pastrimin e rrënjëve të korrupsionit në burgje

371

TIRANË, 13 Mars /ATSH/ – Reforma e thellë nuk do të ndalet deri në pastrimin e të gjitha rrënjëve të korrupsionit në burgje, ka deklaruar sot Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë një inspektimi në burgun e Peqinit.

Gjonaj u shpreh se “kemi ndërmarrë një reformë rrënjësore në burgje dhe nuk do të ndalemi deri në pastrimin e të gjitha rrënjëve të korrupsionit që janë shtrirë ndër vite e vite të tëra bashkëjetese të institucioneve”.

Sipas ministres, pastërtia dhe integriteti moral i punonjësve në burgje është objektivi kryesor i reformës, jo si qëllim në vetvete, por si rruga e vetme për forcimin e sigurisë në burgje dhe një shërbim sa më profesional në institucionet e vuajtjes së dënimit.

“Gjatë verifikimit të bërë nga Ministria e Drejtësisë ka rezultuar se rreth 100 punonjës janë me rekorde kriminale, çka do të thotë se ata automatikisht nuk duhet të ishin bërë pjesë e  sistemit. Nga ana tjetër rreth 70 punonjës nuk iu përputhet arsimi me pozicionin e punës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Po ashtu, bëhet e ditur se Ministrja e Drejtësisë u shpreh se “nuk do të ketë asnjë tolerim në procesin e verifikimit të pastërtisë morale të punonjësve. Të gjithë ata që nuk plotësojnë kriteret do të largohen”.

Duke u ndalur edhe në sistemin e ri të rekrutimit, me qëllim pasjen e një trupe jo të emëruar politikisht dhe sa më profesionale, Gjonaj tha se “për këtë qëllim në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë do të organizohen testime profesionale për rekrutimin dhe më pas kandidatët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen një kursi trajnimi, lidhur me detyrat funksionale të punës në burgje”.

Gjithashtu, bëhet e ditur se gjatë inspektimit në burgun e Peqinit, ministrja Gjonaj kontrolloi nga afër ambientet e burgut dhe dha porosi të veçanta për rregullimin e disa elementëve të tyre, si dhe u takua me të burgosur e familjarë të tyre, të cilët i kanë shprehur ministres problematika të ndryshme, pjesa më e madhe e të cilave lidheshin më sistemin gjyqësor. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.