PRISHTINË, 12 Mars/ATSH/.- Ndihmës sekretari i shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike Wess Mitchell tha sot se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm. Mitchell në një konferencë të përbashkët me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që u mbajt në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” tha se me presidentin kanë biseduar për çështjen e kufirit me Malin e Zi dhe rëndësinë e zgjidhjes së kësaj çështje.Sipas tij, vetëm Kosova mund të zgjedh të ardhmen e saj. Mitchell tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë duke punuar krah për krah me Kosovën. Zyrtari amerikan ka mohuar të ketë ndonjë plan për Kosovën që do ia dorëzojë Serbisë, duke i quajtur raportimet për këtë çështje si spekulim. Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se askush nuk ka arsye që ta vonojë çështjen e demarkacionit. Presidenti shpreson që partnerët e koalicionit qeveritar janë duke biseduar me Listën Serbe që kjo çështje të përmbyllet ditët e ardhshme. Sipas Thaçit, askush s’ka arsye që ta vonojë demarkacionin dhe kjo është interes strategjik dhe shtetëror. Me zyrtarin e SHBA-ve, presidenti tha se kanë biseduar edhe për transformimin e FSK-së dhe mundësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi. Thaçi tha se Kosova nuk do të lejojë asnjë formë të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve.
Mitchell në Kosovë: Zgjidhja e kufirit me Malin e Zi, e rëndësishme
