Lobimi Rus tek PD/ Rama: Partnerët të shqetësuar, Basha të hetohet

TIRANË, 12 Mars/ATSH-A.Fortuzi/ – Kryeministri Edi Rama gjatë emisionit “Studio e Hapur” të Eni Vasilit, u shpreh se partnerët e vendit janë të shqetësuar për faktin se një parti në vendin tonë mund të ketë marrë financime nga biznesmenë të dyshuar nga Rusia. Sipas Ramës, është një aktivitet i paligjshëm që rrezikon vendin tonë dhe duhet hetuar.

“Së pari duhet të bëjmë një dallim të qartë nga pikëpamja e nuancave. Ajo çka ne kemi thënë dhe që do vazhdojmë ta përsërisim pa pushim, është që duhet të dimë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për një histori që nuk themi se ka dorë Kremlini, por duhet të dimë patjetër nëse ka apo jo dorë Kremlini. Kur themi ‘sallatë ruse’ e kemi për rusët me xhepa të thellë, që nuk dihet se përse kanë paguar për një funksion të PD-së dhe që nga pikëpamja e ligjit shqiptar ka shkelje nga fillimi deri në fund. Është e pakuptueshme, që një kryetar i një organizate të caktuar kaq të rëndësishme si PD, që mos t’i japë një përgjigje që lidhet me ligjin”, theksoi Rama.

“Unë nuk kam asnjë arsye se ne duam të spostojmë vëmendjen nga një sukses i agjencive ligjzbatuese në vendin tonë, ndërkohë që është paguar nga ky, dhe pas këtyre është ky, pra dokrra. Ndërkohë që ajo çka i kërkohet Kryetarit të PD, është të shpjegojë faktet kokëforta në letrat që këndojnë vetë, pra të sqarojnë nga fillimi deri në fund se si është e mundur që një parti shqiptare të financohet nga kompani të huaja, është e palejuar. Si ka mundësi që një parti shqiptare financohet nga një biznesmen rus, apo nga tjetër vend dhe fshihen. Po pse fshihen kontratat e lobimit dhe pse këto financime janë nga burime të dyshuara? Përmes gojës së kryetarit të PD nuk di gjë, s’e kam idenë kush janë, kam dëgjuar se janë me origjinë shqiptare, s’e di ç’ka bërë ky Rusi tjetër, kjo është situatë skandaloze. Një aspekt është Partia Demokratike si alternativë e pushtetit dhe krahu tjetër, është se cila është e vërteta deri në fund, dhe ka apo jo influencë malinje përmes PD nga forca jo dashamirëse në raport me Republikën e Shqipërisë. Kjo përkon me çastin kur në vendin tonë ishte ngritur një çadër dhe çdo ditë baltosej dhe bllokohej jeta normale në Shqipëri dhe kur Shqipëria troket për negociatat në BE”, shtoi Rama.

“Partnerët e Shqipërisë janë të shqetësuar. Cilët janë këto? Partnerët e Shqipërisë duan të dinë të vërtetën, duan të kuptojnë të vërtetën e shkrimit të New York Times, pra jemi para një situate ku kemi një grumbull materialesh tejet shqetësuese për mënyrën se si funksionon dhe financohet PD. E kam thënë pak më parë dhe do e them deri në fund, nuk po ngremë akuzë të drejtpërdrejt për financime nga Rusia, por duhet ta përjashtojmë 100% mundësinë që kjo të ketë ndodhur…”, theksoi Kryeministri.

“Të ngresh një akuzë do të thotë të jesh i bindur 100%. Ne nuk ngremë akuzë pasi duam të bindemi 100% që kjo është e vërtetë, por ne do insistojmë deri në pikën kur të jemi të sigurt se kjo ka ndodhur 100%. Vetëm pak mbi kufirin tonë verior ka ndodhur dhe është bërë gati hataja, kjo ka ndodhur dhe në vende të tjera dhe Shqipëria nuk do ishte vendi ku kjo ndodh për herë të parë. Pavarësisht nëse ka Kremlin apo jo, është krim financiar, një aktivitet kriminal, pasi kemi financim të një partie politike nga burime të huaja, ruse në këtë rast… Duhet hetuar deri në fund. Të thuash unë s’di gjë, kur kapesh me presh në duar, është e vetmja gjë që mbetet të bësh. Kjo shumë e madhe parash është financuar për shtëpinë time, por ti s’di gjë…”, tha Rama.

Duke folur politikisht, Rama u shpreh se, Basha është kundërshtari ideal politik. “Për mua kundërshtar më të mirë, më të përshtatshëm sesa Lulzim Basha nuk ka. Po të jetë puna për ta parë në këndvështrimin politik, nga pikëpamja politike sesa kjo që drejton Lulzim Basha, nuk ka. Por këtu çështja lidhet me raportin e atyre që janë zgjedhur nga opozita me këtë aktivitet të paligjshëm, duke e parë këtë në këndvështrimin e integritetit në BE dhe sigurisë në vend”.

Rama kërkoi hetim të çështjes. “Autoritetet shqiptare duhet të investigojnë nëse ka PD financime të dyshuara dhe që mund të fusin mollën e sherrit në vendin tonë… Duhet parë raporti me ligjin dhe raporti me drejtësinë me njerëzit që e kanë vlerësuar veten mbi ligjin me vite me radhë. Njerëz që i kanë shpëtuar ligjit me raporte mjekësore”, tha Rama. “Basha ka dashur që me një lumë parash të zeza të hedhë llum akuzash ndaj Shqipërisë”, vijoi Rama.

Rama: Pse kaq të interesuar Rusët për “dasmën” në çadër? Apo për të bllokuar integrimin në BE

Kryeministri Edi Rama tha se Basha nuk njihte personat që i financuan “dasmën” në çadër.
“E para e punës Rusia nuk është një vend armik me të cilin ne kemi marrëdhëniet që kemi pasur përpara sesa të rrëzohej diktatura. Rusia nuk është një partner strategjik. Rusia nuk është pikë referimi në politikën tonë të jashtme. Kam pritur përfaqësues të një kompanie Ruse dhe kam pritur zotërinj që kishin një projekt për energjinë, por kjo shumë vite më parë. Por nuk u bë asgjë. Se e di kush është pyetja, pse disa persona hodhën gjithë këto lekë për të bërë dasmë me çadër dhe çfarë interesi kishin tek kjo dasmë, pse si the atraktive, sepse bllokonte integrimin e vendit. Mother Jons s’do Trumpin dhe për pasojë s’do as Lulin. Seriozisht e keni?

Rama: Zhdukëm kanabisin nga vendi, PD ka hyrë në gjynah me këtë vend

Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës në fjalë u shpreh se qeveria e tij e gjeti kanabisin në të gjithë vendin dhe e luftoi atë.

“Në Shqipëri u nis lufta ndaj kanabisit kur erdhëm ne. Shqipërisë i doli nami para se të ishim ne në pushtet për kanabisin. Në Shqipëri ishte një krahinë autonome, por kjo s’ndodh më. Unë jam pjesë e një historie që hoqi kanabisin nga Dukagjini deri në Lazarat. Ne kishim një betejë, jo shëtitje për të korrur ‘bar’. Roli i PD, mizerje, anti çdo lloj sensi ndaj vendit dhe luftës ndaj drogës. S’mund të përdorësh krimin për të luftuar politikisht se kështu hyn në gjynah me vendin tonë”, tha Rama.

Kokaina? Rama: Krenarë për agjentët doganorë dhe policinë. Sulmet janë maskaradë nga njerëz pa atdhe
Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës në fjalë u shpreh se kokaina e kapur në Durrës është histori suksesi dhe për këtë ndihet krenarë. Sipas Ramës, Kokaina nuk është çështje shqiptare dhe se kokainë është kapur dhe në vendet e tjera, por kurrë opozita nuk ka akuzuar qeverinë
“Jam kryeministri. S’jam drejtori i Policisë së Shtetit. Nëse doni detaje për operacionin, studioni me ekspertët e duhur për të vërtetën mbi çështjen, pasi në PD nuk ka ekspertë të vërtetës, ajo ka ekspertë të pavërtetës. Unë ndihem krenarë se kemi bërë gjithçka që duhej bërë. Nuk ka asnjë problem po të kishte qenë në bashkëpunim, por ndihem krenarë se agjentët doganorë kanë bërë gjënë e duhur dhe kanë bashkuar Shqipërinë me vendet që po luftojnë kokainën. Dua t’ju them vetëm këtë, 100 kg kokainë u kapën në Kroaci. 512 milionë sterlina kokainë në Britani. 3.8 ton kokainë në portin e Hamburgut. Rekord kokainë në babanë në gjermani. 1.3 ton ton kokainë në Francë, portë. 1.2 ton kokainë në Spanjë e kapur. E kapur në San Diego 1.8 ton të tjera. Angela Merkel, Theresa May, Emanuel Macron, Paolo Gentiloni…etj, kurrë nuk janë akuzuar se njerëz të familjes së tyre janë të lidhur me kokainën, kjo është maskaradë nga njerëz pa atdhe”, theksoi Rama. Sipas kryeministrit, hetimi po vijon. “Në fillim kapen argatët, pastaj hetimi vijon deri në fund të zinxhirit”, vijoi Rama.

Rama: Berisha “shëmbëlltyra e shpifjeve”, do të luftojë këta mashtrues

“Kjo shëmbëlltyrë e shpifjeve”, e ka quajtur Rama ish kryeministrin Sali Berisha, teksa ka kujtuar dhe disa nga akuzat e rënda që ai ka bërë në adresë të tij, duke theksuar se do të qëndroi në pushtet derisa të duan shqiptarët.

“Ju nuk e dini dhe s’keni si ta dini. Por për herë të parë që dola në një fushatë elektorale ky njeri (Berisha) doli e u tha qytetarëve që unë kisha akuzuar gruan time se e kishte fëmijën me babanë tim. Kam parë familjen e tmerruar. Djali nuk dilte nga poshtë krevatit, ishte i tmerruar, tha Rama.

“Është ky që ka thënë për mua se e kam akuzuar gruan se djalin e ka me babanë tim. Jam unë që e kam parë djalin tim të tmerruar nga poshtë krevatit, dhe të gjithë familjen e tmerruar, janë histori që më kanë ndjekur nga pas, kriminel, pastron para, pederast. Unë do t’i shkoj deri në fund kësaj pune sepse e dua Shqipërinë. Këto shpifje që burojnë nga shëmbëlltyra e kësaj shpifje”, tha Rama.

Rama: Unë ja kam çuar në tryezë Merkelit propozimin për Reformën në drejtësi, është kjo që do kapi peshqit e mëdhenj

Drejtësia e re e cila është edhe një nga prioritetet e qeverisë, do të vendos përpara drejtësisë të ashtuquajturit “peshqit e mëdhenj” të krimit, duke theksuar se për të shkuar deri te hetimi i krimit politik, duhet të ndërtohet një sistem i plotë i drejtësisë.

“S’jam ambasadori i SHBA dhe s’quhem Donald Lu. Nëse ju më quani mua peshk të madh dhe doni të kapem, unë skam çfarë t’ju  them. Nëse ju shikoni peshq të mëdhenj ata që shihni në kuvend. S’është problem im. Unë di këtë, që, ambasadori Lu tha se duhet  të përshkallëzohet lufta kundër krimit dhe kjo po ndodh, pavarësisht lidhjeve që krimi ka. Unë di këtë që janë skeduar disa element kriminalë, beteja do vijoi. E kuptojë padurimin, mllefin, talljen e madhe që kanë vuajtur, por këta njerëz duhet të kuptojnë se drejtësia për të shkuar deri tek krimi politik duhet të ndërtohet sistem. Kush po e bënë këtë përpjekje, qeveria e drejtuar nga Partia Socialiste si pikën e parë të programit të saj. Unë e kam vendosur në tryezën e Kancelares Merkel dhe ne kemi bërë shumë punë për të bindur Brukselin, që nuk ishte i bindur për këtë reformë”, tha Rama/r.e//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.