LONDËR – Gratë kineze të biznesit në krye të listës së miliardereve

 

LONDËR, 10 mars /ATSH-AA/ – Gratë kineze të biznesit edhe këtë vit kryesojnë listën e grave miliardere, të cilat e kanë fituar vetë pasurinë e tyre, sipas grupit kërkimor ekonomik britanik me qendër në Shangai, ”Hurun”.  Në raportin e publikuar nga “Hurun” lidhur me pasurinë globale 2018 shihet se në katër vendet e para në listën e grave miliardere me pasuri të përfituar me suksesin e treguar në tregun e punës dhe jo nëpërmjet martesës dhe trashëgimisë, janë radhitur gratë kineze.  Pronarja e kompanisë “Lens Technology”, e cila prodhon xhama për ekranin e gjigandëve të elektronikës si ”Apple” dhe ”Samsung”, Zu Kunfei me një pasuri prej 9,8 miliardë dollarësh zë vendin e parë në këtë listë.Zu, e cila vjen nga një familje rurale me të ardhura të ulëta në listën e grave më të pasura të “Forbes”-it, të publikuar javën e kaluar ishte radhitur në vendin e 16-të.Pas saj në listën e “Hurun” pasojnë kinezet Vu Yajun dhe Çen Lihua, të cilat janë aktive në fushën e ndërtimtarisë. Pasuria e Yajun është 9,1 miliardë dollarë, ndërsa ajo e Lihua 8,1 miliardë dollarë.  Në vendin e katërt të listës, me një pasuri prej 7,5 miliardë dollarë ndodhet Zang Yin, pronare e kompanisë ”Nine Dragon”, që vepron në fushën e letrës dhe të paketimit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.