SPORT – Buffon: Ka ardhur koha për t’i dhënë fund futbollit

235

ROMË, 9 mars /ATSH-AA/ – Mediat e njohura italiane të sportit, në mesin e të cilave edhe “Corriere della Sera”, pretendojnë se Gianluigi Buffon, portieri i Juventusit të Torinos, ka marrë vendimin për t’i dhënë fund karrierës profesionale në fund të sezonit.  Edhe pse Luigi Di Biagio, trajneri i përkohshëm i përfaqësueses së Italisë, kohët e fundit deklaroi se Buffon meritonte një lamtumirë më të mirë nga fanella e “Azzurëve” përkundër eliminimit nga Suedia në play-off për Botërorin, duket se portieri legjendar nuk do të pranojë ftesën për dy ndeshjet miqësore në mars.  Arsyeja pse Buffon do të refuzojë të vazhdojë të mbrojë për ekipin e Italisë është se nuk dëshiron të zërë vendin e kolegëve të rinj.  Buffon ende ka shansin që në mënyrë madhështore të përfundojë karrierën. Me Juventusin arriti deri në finale të Kupës së Italisë dhe në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, kurse në Serie A udhëheq betejën me Napolin për titullin e kampionit.  Portieri i mrekullueshëm 40-vjeçar karrierën e tij profesionale e filloi në vitin 1995 në Parma, nga i cili u transferua në Juventus në vitin 2001 me kompensim prej 52 milionë eurosh. Ai është ende portieri më i shtrenjtë i paguar në historinë e futbollit. Por, “zonjës së vjetër” ,ky investim i është paguar, sepse Buffon për 17 sezone ka qenë i pazëvendësueshëm në klubin me më shumë trofe në Itali.Ai ka thyer disa rekorde, duke u bërë portieri me më shumë paraqitje në Serie A, ku deri më tani ka regjistruar 632 ndeshje, në listën e përhershme të të gjithë lojtarëve para tij është vetëm Paolo Maldini me 647.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.