Nuk kemi lidhje me rusët, të hapur për hetim nga prokuroria

TIRANË, 9 Mars /ATSH- I.Vata/ – “Akuza që Partia Demokratike ka marrë para prej rusëve për të bërë konspiracion së bashku me Presidentin Trump kundër Edi Ramës është një akuzë qesharake, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një deklaratë për mediat. Në vijim, Basha tha se “Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj dhe nuk ka asnjë lidhje direkte dhe indirekte me asnjë individ, organizatë, kompani apo interes rus”.“Ne i kemi kërkuar prokurorisë shqiptare të kryejë çdo verifikim dhe i kemi dhënë prokurorisë të dokument.Për të ruajtur të njëjtin standard dhe për t’i shërbyer drejtësisë, ftoj publikisht prokurorinë shqiptare të fillojë hetimin e burimit dhe mënyrës si Edi Rama, në konspiracion me të tjerë, shkeli ligjet amerikane duke futur para të huaj në fushatën presidenciale Obama.Për këtë çështje ka një vendim të formës së prerë të drejtësisë amerikane që ka vërtetuar faktin dhe krimin, prandaj prokuroria shqiptare e ka të lehtë ta hetojë këtë çështje”, tha Basha. Në fund Basha shtoi se ka një përpjekje për mbylljen e hetimet për Saimir Tahirin. “Prandaj, fushata e sulmeve, përmes mercenarëve me pagesë, ka për qëllim largimin e vëmendjes së opinionit publik nga droga dhe krimi. Çështjet e drogës si “Xibraka”, Maminasi, Saimir Tahiri janë çështje me rëndësi kombëtare, të cilat nuk duhet lejuar që të mbulohen me mjegullën e propagandës qeveritare, sepse rreziku kryesor për destabilizimin e Shqipërisë është droga dhe krimi. Prandaj, lufta ndaj drogës, krimit dhe lidhjeve të tyre me politikën është prioritet kombëtar”, tha ai.

Rama: Jorgani i kundërakuzave nuk të mbulon dot më

Kryeministri Edi Rama i përgjigjet kryetarit të Partisë Lulzim Basha pas deklaratës së tij se nuk ka lidhje me rusët, duke i treguar prokurorinë si zgjidhje. Kryeministri Rama i drejtohet kryetarit të PD-së Basha duke i thënë që t’i drejtohet prokurorisë në vend të kundër akuzave për të mbuluar skandalin. “Lulëzim boll më, shko vetë në prokurori e rrëfehu para organit të akuzës se jorgani i kundër akuzave nuk të mbulon dot më!”, shkruan kryeministri Rama në statusin e tij social Facebook.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.