FBI dhe autoritetet britanike, hetim gjithëpërfshirës për lobimin e PD

TIRANË, 9 Mars /ATSH- I. Vata/ – Prokuroria duhet të veprojë me të gjithë forcën e ligjit për zbulimin e ndëshkimin e të gjitha veprave penale të kryera në këtë proces tërësisht korruptiv nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, ka deklaruar sot Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja në një deklaratë për mediat në selinë e PS-së. Në fjalën e tij, Manja tha se “faktet e reja të nxjerra në dritë nga investigimi i revistës amerikane “Mother Jones” për financim të lobimit të Partisë Demokratike nga biznesmenë rusë dhe të ripublikuara nga “New York Times” janë arsye për një shqetësim të madh, jo më thjesht politik apo me sfond kriminal financiar, por edhe kombëtar! Kjo histori nuk mund të kalojë me nga një deklaratë “fletë-rrufe” të ditës së Partisë Demokratike, pasi ne kërkojmë shpjegime publike nga Lulzim Basha”. “Dje, në mënyrë të pacipë, deklarata “fletë-rrufe” hidhte baltë mbi Elisa Spiropalin, madje në ditën e 8 marsit, pardje mbi Taulant Ballën; Edi Rama nuk diskutohet që s’ka si mungon në çarçafët e baltës së përditshme të Lulzim Bashës.Sot do jetë radha ime të dal në çarçaf, nesër e kujtdo që do rikërkojë llogari, sepse ne nuk i ndahemi kësaj historie pa marrë përgjigje! Po a ka shqiptar, qoftë edhe demokrati më i flaktë, që kënaqet me këto përgjigje qesharake, ku bëhet për budalla çdo shqiptar? Ne nuk e besojmë dhe këtu flasim në emër të interesit të çdo shqiptari e të vetë Shqipërisë, prandaj Lulzim mos i fshih, po duku, dil e jep përgjigje, sepse sot të takon të përgjigjesh para opinionit publik; nesër, të siguroj, për këtë histori do të përgjigjesh para ligjit. Këtu dhe rrezik edhe në Amerikë, po këtu njëherë nuk ke ku shkon pa dhënë një për një përgjigje para ligjit!”, tha ai Opozita e ka bërë zakon të akuzojë cilin do, dhe kështu bënë edhe me mendian amerikane, tha Manja, duke vijuar se dje edhe një herë më shumë Lulzim Basha gënjeu publikisht që nuk ka lidhje me këtë skandal. Për rikujtesë, tha Manja duke vijuar se “në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha, lidhi dy kontrata me lobisten e saj në Uashington, “Stonington Strategies”, në mënyrë që të siguronte takime të nivelit të lartë me administratën e Presidentit Donald Trump. Të dhënat e depozituara në Departamentin Amerikan te Drejtësisë tregojnë se pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nëpërmjet dy kontratave të lidhura në fund të marsit nga Partia Demokratike dhe një kompani guaskë e regjistruar në Skoci, me emrin “Biniatta Trade LP”, të cilat kapin një vlerë totale prej 675 mijë USD dhe ku përfshihen tarifat mujore të firmës, si dhe pagesat për shpenzimet e saj”. “Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me “Stonington Strategies” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP” është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar në mesin e muajit nëntor. Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD”, tha ai. Në vijim, Manja tha se “asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.Por cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë “Biniatta Trade LP”?Biniatta është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë- një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale.Dy ditë para se të firmoste kontratën me Bashën, më 20 Mars, “Muzin Capitol Partners” ka nënshkruar një kontratë me kompaninë guaskë “Biniatta Trade LP”, e cila angazhohet të paguajë 450 mijë USD për një periudhë tre mujore si dhe një pagesë shtesë prej 500 mijë USD për sigurimin e disa takimeve ose pjesëmarrje në evente në Uashington D.C”. “Siç edhe e konfirmonte me gojën e tij Lulzim Basha 3 muaj më parë, më datë 21.12.2017, kontrata lidhet me biznese shqiptaro-amerikane në SHBA, hulumtimin e suksesit ekonomik të Shqipërisë në Europë dhe promovimin e marrëdhënieve financiare dhe të tregtisë midis Shqipërisë dhe SHBA. Në të përmendet gjithashtu promovimi i muajit të historisë Shqiptare në disa shtete të SHBA-ve, si dhe vënien e theksit mbi kontributin e diasporës shqiptare. Përveç dy kontratave të lidhura me “Stonington Strategies”, gjatë të njëjtës periudhë PD ka lidhur edhe një kontratë me kompaninë lobiste “Barnes and Thornburg LLP” në fillim të prillit, me vlerë 150 mijë USD.Në total, shpenzimet e Partisë Demokratike për lobistët në Uashington për periudhën mars-qershor kapin vlerën e 825 mijë USD – më e lartë se të ardhurat totale që Partia Demokratike deklaroi në KQZ.”, tha Mania. Ai shtoi se sa më shumë Lulzim Basha mundohet t’i shmanget këtij debate aq më shumë pranoj fajësinë e tij të këtij korrupsioni, evazioni dhe mos qoftë e vërtetë edhe e tradhtisë kombëtare. “Në sqarimin që duhet tu jap shqiptarëve Partia Demokratike duhet të jap përgjigje se a kishte pagesa të tjera përveç tyre që mbeten ende të fshehura”.Kush janë njerëzit që kontaktuan me kompanitë ruse në emër të PD-së? A ishte vetë Basha që negocioj me ta”. A ishte vetë Basha apo njerëz të tjerë brenda PD-së që ishin në dijeni?”, tha Manja. Manja theksoi se “Flet ose jo Basha, ai ka luajtur një rol dhe lojë që ka vetëm një rrugë, bankën e të akuzuarit dhe të përballet me Kodin Penal. Sa krime ka në këtë afër, duhet ta vërtetojë Prokuroria, por financim të paligjshëm parash padiskutim që ka. Pastaj bashkëpunim kundër interesave të atdheut me faktorë të jashtëm nuk kam dëshirë ta nxjerrë ta pohoj, por era e zullumit të çon deri atje. Organet e drejtësisë të veprojë urgjentisht, të vihen në lëvizje menjëherë nëse ende se kanë bërë akoma. Një hetim gjithëpërfshirës në bashkëpunim me autoritetet britanike është emergjent, jo për të zbuluar atë që është zbuluar, por të kuptuar marrëzinë e Lulzim Bashës që për të marrë pushtetin, ka shkuar deri në cënimin e Republikës së Shqipërisë”. “Lulzim Basha duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë turp kombëtarë që shkon deri në kufinjt e tradhtisë kombëtare” theksoi ai. Reagon Noka, akuza për drogën në Maminas Nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Flamur Noka akuzoi kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm se kanë dekonspiruar operacionin në Maminas ku u kapën 613 kg kokainë. Noka tha se droga mbeti pa pronar, teksa pyeti se ku është laboratori ku do përpunohej kokaina dhe kush fshihet pas tij. “613 kg kokaine e pastër ka përfunduar deri tani jetime dhe fatkeqësisht deri në fund të procesit duket se do të rezultojë jetime.Kjo tregon qartë se ajo drogë ka ardhur në Shqipëri me një garanci dhe një mburojë të fortë politike. Në duart e drejtësisë, si në rastin e Xibrakës janë vetëm shoferi i kamionit dhe pritësi i ngarkesës me banane. Pronarët e vërtetë nuk zbulohen dhe nuk kapen, për ta kujdeset vetë qeveria”, tha Noka. “Përfitoj nga rasti ti them edhe Ulsiut dhe çdo avokati apo zëdhënës të kokainës se turp më të madh kombëtar nuk ka sesa të shndërrosh atdheun në parajsën e drogës dhe krimit të organizuar. Këtë e ka bërë qeveria e kokainës me në krye Edi Ramën”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.