ATP, 308 milionë lekë për pronarët e prekur nga ndërtimet informale

TIRANE, 9 Mars/ATSH/- Agjencia e Trajtimit të Pronave përfundoi procesin e shqyrtimit për 248 kërkesa, të paraqitura nga pronarë të pasurive të paluajtshme të prekura nga ndërtimet informale, që përfitojnë deri më tani kompensimin/shpërblimin në vlerë, në masën 70% të shumës së përgjithshme, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave. ATP përmes një njoftimi për shtyp bën të ditur se procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, si dhe në disa vendime të Këshillit të Ministrave në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.  Për 248 (dyqind e dyzet e tetë) kërkesat e mësipërme, dokumentacioni i të cilave ka rezultuar në përputhje me kriteret e përcaktuara në vendimin e qeverisë, Agjencia e Trajtimit të Pronës ka shpërndarë fondin financiar në shumën e përgjithshme prej mbi 308 milionë lekësh.  Agjencia e Trajtimit të Pronës njofton subjektet se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë në llogaritë e tyre bankare në ditët në vazhdim.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.