Agjencia Telegrafike Shqiptare

Katalogët e Pavijonit të Mesjetës dhe Rilindjes Kombëtare tashmë shqip-spanjisht

TIRANË, 7 Mars /ATSH/ – Dy katalogë dygjuhësh shqip-spanjisht u prezantuan sot në ambientet e Pavijonit të Mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar.

Përgatitjes dhe botimit të dy katalogëve të Pavijonit të Mesjetës dhe Pavijonit të Rilindjes në dy gjuhë, shqip-spanjisht në bashkëpunim më Ambasadën e Spanjës në Tiranë, iu desh kohë ndërsa këto të fundit u përkthyen nën asistimin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.

Katalogu i Pavijonit të Mesjetës dhe Këndit të Pashallëqeve të Mëdha Shqiptare tregon larminë e objekteve të ekspozuara dhe synon të ofrojë një panoramë gjithëpërfshirëse të kulturës materiale, që u formua në territorin e Shqipërisë duke ftuar vizitorin në një itinerar historik, duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve kryesore, që zunë vend në territorin tonë, për një periudhë që shtrihet nga Antikiteti i Vonë e deri tek periudha bizantine dhe ajo osmane.

Katalogu i Pavijonit të Rilindjes Kombëtare dhe i Pavarësisë Shqiptare i dedikohet një prej mjediseve më tërheqëse të Muzeut Historik Kombëtar. Objektet e shumta muzeore flasin qartë se shqiptarët hynë në periudhën e Rilindjes Kombëtare si një popull me tradita të shquara dhe me një individualitet të veçantë etnik. Objektet i përkasin periudhës nga mesi i shekullit XIX deri në vitet ’30 të shekullit XX. Rilindja Kombëtare Shqiptare qe një lëvizje e gjerë politike-kulturore, që synonte çlirimin dhe bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, si edhe zhvillimin e gjuhës, të arsimit e të kulturës kombëtare.

Të pranishëm në aktivitetin e zhvilluar ishin drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koci, Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Tiranë Vicente Canelles Montero, ambasadorët e nderuar të Sllovenisë, Çekisë dhe Serbisë dhe personalitete të historisë.

Aktivitetin e çeli drejtori Koci, i cili në fjalën e tij tha: “Është një kënaqësi për mua të jemi sot të gjithë së bashku në Muzeun Historik Kombëtar, për të prezantuar punën e madhe dhe të gjatë që iu kushtua përgatitjes dhe botimit të dy katalogëve të Pavijonit të Mesjetës dhe Pavijonit të Rilindjes, në bashkëpunim më Ambasadën e Spanjës në Tiranë”.

Ambasadori i Spanjës Vicente Canelles Montero shprehu shkurtimisht falënderimet e tij për të gjithë aktorët e përfshirë në përgatitjen dhe botimin e dy katalogëve.
“Është diçka e veçantë dhe e bukur që në vitin e Skënderbeut të gjenden katalogë në gjuhën spanjolle në pavijonin e Skënderbeut për të gjithë turistët spanjishtfolës ”, tha në fjalën e tij Ambasadori Montero./a.a//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version