Thaçi: Kuvendi do të votojë sot për liberalizimin e vizave

PRISHTINË, 28 Shkurt/ATSH/.- Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi sot se Kuvendi i Kosovës do të marrë drejtimin e drejtë dhe do të votojë për liberalizimin e vizave dhe kurrsesi për izolimin e vendit.

Presidenti Thaçi i bëri këto komente në Akademinë Përkujtimore me rastin e 20 Vjetorit të Masakrës së Likoshanit dhe Çirezit, ku tha se sot më 28 shkurt, 20 vite pas masakrës makabre, Kosova po nderohet me vizitën e presidentit të Komisionit Evropian, Hahn dhe Mogherinit.

Sipas tij, pas asaj masakre, Kosova po ndryshon.

“Kjo sakrificë, rezistenca jonë për liri dhe pavarësi bënë që Kosova të fitojë përkrahjen e botës. Si shteti i ri duhet të bëjmë shumë për mirëqenien e qytetarëve tanë, dy dekada liri, një dekadë pavarësi”, tha ai.

Gjatë akademisë Thaçi nderoi me urdhrin “Hero i Kombit” dy dëshmorët,  Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi, që ranë në masakrën e Liksohanit dhe Qirezit më 28 shkurt të vitit 1998./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.