SOFT NEWS – Bolt i kthehet… futbollit, vesh bluzën e UNICEF-it

PARIS, 27 shkurt /ATSH-AFP/ – Sprinteri më i famshëm i botës, xhamajkani Usain Bolt, disa herë kampion olimpik, do të luajë një ndeshje futbolli gala për UNICEF-in në “Old Trafford”, stadiumi i ”Manchester United”, njoftoi ai sot në profilin e tij në Twitter.

“Kjo ndeshje e organizuar për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve që vuajnë në botë, do të zhvillohet më 10 qershor”, njoftoi Bolt në një video të publikuar në rrjetin social.

Dje, kampioni xhamajkan kishte shkaktuar kureshtje duke deklaruar në një video të shkurtër të publikuar në Twitter se kishte nënshkruar me një klub futbolli, por pa treguar emrin.

Pra, ai do të jetë, më në fund, futbollist vetëm në ndeshjet e bamirësisë, si kapiten i një ekipi me yje mes të cilëve edhe këngëtari britanik, Robbie Williams.

Ikona botërore 31-vjeçare, që i dha fund karrierës së tij në pistën e atletikës vitin e kaluar, nuk e ka fshehur asnjëherë pasionin për futbollin.

Në janar, ai kishte njoftuar se do të provonte me ”Borussia Dortmund” duke konfirmuar kështu dëshirën e tij për të bërë karrierë në futboll.

“Një prej ëndërrave të mia më të mëdha është të firmos me ‘Manchester United”, kishte deklaruar në atë kohë Bolt./ /G.S/  a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.