KABUL, 27 shkurt /ATSH-AFP/ – Talebanët afganë u kërkuan sot amerikanëve që të bisedojnë drejtpërdrejt me përfaqësuesit e tyre në Katar.
Kjo është hera e parë, që prej dy vitesh, që rebelët talebanë tregojnë gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në bisedime direkte për t’i dhënë fund konfliktit me SHBA-në, i filluar që prej vitit 2001.
“Zyra politike e Emiratit Islamik të Afganistanit (emërimi zyrtar i lëvizjes së talebanëve), u kërkon përgjegjësve amerikanë të diskutojnë drejtpërdrejt për një zgjidhje paqësore të problemit afgan”, shkruanin në faqen e tyre në internet talebanët, që kanë që prej vitit 2013 një përfaqësi në Doha.
Talebanët kanë refuzuar zyrtarisht çdo pjesëmarrje në bisedime paqeje që prej marsit 2016 duke hedhur poshtë ofertat për dialog nga qeveria “deri sa t’i jepet fund pushtimit të huaj të Afganistanit”.
“Kabuli pret nesër konferencën e dytë të të ashtuquajturit ‘Procesi i Kabulit’, që mbledh përfaqësuesit e 25 vendeve të rajonit, mes të cilave Indinë dhe Pakistanin, si dhe SHBA-në dhe tre organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në”, sipas Ministrisë afgane të Punëve të Jashtme./ /G.S/ a.jor.
