“Rilindja Urbane” në Fushë-Arrëz, investim në çdo arterie të jetës ekonomike e sociale

TIRANË, 24 Shkurt / ATSH-N.Lena /  –  Konfigurimi i ri i bashkive ka bërë që Fushë Arrëzi të  shtrihet në një sipërfaqe prej 540.42 km 2, dhe të përmbledh disa njësi administrative si Iballa, Blerimi, Fierzë dhe Qafë Mali.

Është një bashki që  po njeh një adresim të madh investimesh, të cilat kapitalizohen në përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së jetesës së banorëve të kësaj zone.

Kryetari kësaj bashkie Fran Tuçi thotë për ATSH se investimet do prekin çdo arterie të jetës sociale-ekonomike  në të gjithë hapësirën që mbulon kjo bashki.

Tuçi thotë se “do të ketë investime në infrastrukturën rrugore në të gjitha njësitë administrative që përmbledh kjo bashki, ku po punohet për përfundimin e degëzimit të rrugës Fushë Arrëz-Dardhë faza e dytë me vlerë 95 milion lekë, si dhe degëzimet Kryezi dhe Orosh”.

Ndërkaq ka nisur rikonstruksioni i shkollave 9 vjeçare që kanë nevojë  për ndërhyrjeje si ajo në Fierzë, Porav, Bugjon, Berishë e Epërme, Mërtur  si dhe në fshatrat Dardhë, Qebik, Truen etj si dhe shkollat e mesme në Fushë Arrëz dhe Iballë duke shtuar edhe ambientet e tyre sportive.

Në ujësjellës-kanalizime ka nisur puna për rikonstruksionin e plotë të rrjeteve Brenda qytetit si dhe po punohet për rikonstruksionin në disa fshatra si Truen, Qebik, Flet, Kulumbri dhe Xath.

Gjithashtu, me një investim prej 234354530 lekë, do të punohet për sistemimin e rrugëve të brendshme të qytetit.

Bashkia ka nisur puna me investime në pyje dhe kullota me dixhitalizimin e hartave  për të gjitha ekonomitë pyjore të Bashkisë si dhe pyllëzimin e zonave të djegura ose të dëmtuara-ndërtimi i sistemeve të pritave malore.

Një tjetër sektor ku do të investohet në kuadër të “Rilindja Urbane” është edhe bujqësia, në  sistemin e vaditjes dhe të kullimit.

“Janë disa nga fushat ku po punohet dhe priten të tjera financime që të mbyllet kuadri i investimeve në këtë bashki”, thotë Fran Tuçi për ATSH.

Po të udhëtosh edhe në këto ditë të ftohta e me borë për në Fushë Arrëz, do të vesh re ndryshimet infrastrukturore në rrugë e mjedise por edhe te psikologjia e njerëzve që jetojnë aty. Ata flasin për këto ndryshime dhe janë optimist për ndryshime të tjera.

Fran Tuçi, kryetari i Bashkisë, foli me optimizëm për atë që po ndodh e do të ndodh në këtë bashki.

Ai është i ndërgjegjshëm se administrimi i problematikave të këtyre banorëve, është një sfidë e vazhdueshme, sepse terreni është mjaft i vështirë, po kështu dhe kërkesat janë të mëdha sepse kjo zonë ka qenë gati e izoluar për shumë vite.

Fushë-Arrëzi, është një nga trevat e begata me pasuri nëntokësore dhe me burime të pashtershme ujore. Banorët e këtyre anëve, kanë jetuar dhe i kanë shfrytëzuar si burim jetese pasuritë minerare.

Një prioritet i veçantë i kësaj zone është dhe turizmi.

Mjedisi i thyer dhe i pasur me një florë të veçantë ku mbizotëron Pisha Malore, krijojn mundësinë për një turizëm natyror por jo vetëm, kjo është një zonë me tradita dhe histori të pasur.

Vizitorët ngjiten në Fushë- Arrëz dhe në fshatrat përreth edhe për turizmin kulturor, atë të aventurës dhe të kuriozitetit.

Ndaj dhe administrate e kësaj bashkie, ka  hartuar me kujdes, dokumentin strategjik përkatës, i cili adreson në mënyrë  të detajuar nevojat dhe shtyllat e implementimit për zhvillimin e turizmit në hapësirën që mbulon kjo bashki.

Bashkia përmes buxhetit të saj ka ndërhyrë ndjeshëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidh zonat dhe periferinë me qytetin.

Është siguruar një menaxhim korrekt i shërbimit të mirëmbajtjes së rrugëve rurale, të cilat, edhe përtej ashpërsisë së relievit apo dhe të agjentëve atmosferikë, përsëri janë në parametra normalë.

Vizitori vendas dhe  turisti  huaj, po e shikojnë pozitivisht lëvizjen turistike në këtë zonë të bukur por të pa ekspozuar deri dje.

Sot, rrugëve të qytetit, me investimin e përfunduar në objektet  sociale dhe pedonales, jeta dhe argëtimi ka filluar të zhvillohet duke e nxjerrë këtë zonë nga harresa.   /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.