KABUL, 17 shkurt /ATSH-DPA/ – Të paktën 15 oficerë afganë policie u vranë gjatë dy sulmeve talebane, në provincën perëndimore Farah dhe atë jugore, Zabul, njoftuan sot zyrtarë të policisë në Kabul.
”Një numër i madh militantësh talebanë sulmuan një pikë kontrolli policor në Balabulok, Farah, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, duke vrarë të paktën 10 oficerë”, deklaroi anëtari i këshillit provincial, Faridullah Bakhtawar.
”Rebelët morën të gjithë armatimin në këtë pikë kontrolli”, shtoi ai.
Ndërkohë, trupat afgane të sigurisë u kanë shkaktuar gjithashtu shumë humbje në njerëz rebelëve talebanë, por nuk ka një numër të saktë të këtyre viktimave.
”Pesë policë të tjerë u vranë në provincën Zabul”, tha anëtari i këshillit provincial, Haji Atta Jan Haqbayan.
Duke marrë përgjegjësinë për të dy sulmet, zëdhënësi i talebanëve, Qari Yousuf Ahmadi shkruajti në Twitter se milicia talebane kishte ndaluar një oficer dhe kishte vrarë 10 të tjerë./ a.jor.
