Haradinaj homazhe në nderim të të rënëve për lirinë e Kosovës

PRISHTINË, 16 Shkurt/ATSH/.- Kyeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar zhvilluan sot homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Jemi këtu në vendin e sakrificës, në vendin e kthesës, në Prekaz, në varrezat e familjes Jashari, Komandantit Legjendar Adem Jashari. Përulemi me respekt. Lavdi të rënëve për liri dhe urime Kosovë dhjetëvjetori i Pavarësisë. Urime shqiptarëve kudo që janë”, tha Haradinaj.

 

Më pas Haradinaj dhe ministrat e kabinetit qeveritar bënë homazhe edhe te shtatorja e Zahir Pajazitit, në varrezat e dëshmorëve në Velani dhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Në këtë ditë, kryeministri Haradinaj ka kujtuar sakrificën e të rënëve për liri dhe punën e palodhshme të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për pavarësinë e vendit.

“Urime 10 vjetori i Pavarësisë gjithë qytetarëve të Kosovës, shqiptarëve kudo që janë. Nderojmë sakrificën, punën e madhe dhe flijimet e atdhetarëve. Në këtë rast, nderojmë presidentin historik Ibrahim Rugova, nderojmë veprën e tij për pavarësinë e Kosovës. Urime!”, tha Haradinaj.

Pas homazheve në Prekaz e te shtatorja e Zahir Pajazitit, Ramush Haradinaj nderoi te varri edhe ish-Presidentin Ibrahim Rugova.

“Urime 10-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Në këtë 10-vjetor nderojmë sakrificën e Ibrahim Rugovës dhe veprën e tij për Pavarësinë e Kosovës”, tha kryeministri Ramush Haradinaj pas homazheve te varri i Ibrahim Rugovës.

Në këto homazhe së bashku me kryeministrin ishte edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxha dhe ministrat Albena Reshitaj, Pal Lekaj, Dhurata Hoxha, Abelard Tahiri.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.