VIDEO/ Pastrimi i Gjanicës i hap rrugën një tjetër transformimi spektakolar të Fierit

TIRANE, 11 Shkurt/ATSH/- Në kuadër të Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, prej ditësh ka nisur puna për rehabilitimin e lumit Gjanica që për çerekshekulli ishte kthyer në burim plehrash e përmbytjesh për qytetin e Fierit.

Kryeministri Edi Rama, duke uruar mirëmëngjesi ndjekësit në rrjetin social facebook, ka publikuar edhe pamje nga aksioni tashmë i nisur prej ditësh nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ku po prishen ndërtimet pa leje, për ti hapur dritën jeshile nisjes së punimeve për rehabilitimin e plotë lumit Gjanica dhe ndërtimin e pedonales së qytetit.

“MIRËMËNGJES dhe me këtë moment të fundit të pastrimit të “Lanës së Dytë Demokratikase” (lumit Gjanica që përshkon qytetin e Fierit, e u kthye për çerekshekulli në burim plehrash e përmbytjesh), që i hap rrugën një tjetër transformimi spektakolar të Fierit në kuadrin e Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, ju uroj një të dielë të qetë”, deklaron Rama.

Prej disa muajsh IKMT dhe bashkia e Fierit po punojnë për t’i dhënë fund makthit të qytetarëve ndaj përmbytjeve masive, të shkaktuara ndër vite nga lumi Gjanica.

Gjatë muajit shkurt punimet janë përqendruar pranë qendrës së qytetit, në segmentin nga Ura pranë Kishës ortodokse, deri tek “Ura me shkallë”. Mjetet po punojnë në mënyrë të pandërprerë për pastrimin, zgjerimin e shtratit dhe sistemimin e shpateve të lumit dhe e kanë përqëndruar punën e tyre pikërisht në vendet ku dalja e lumit bëhej më evidente.

Projekti për rehabilitimin e Gjanicës synon valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit dhe ndërtimit të ndërtesave publike për qëllime sportive-kulturore e të shërbimit dhe rehabilitimin selektiv sipas nevojave, të rrjetit infrastrukturor.
Projekti parashikon sistemimin e ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimin mjedisor të lumit dhe krijimin e një peisazhi rekreativ për shtratin e lumit. Po ashtu, sigurohen rrjete rrugore të mirëlidhura për këmbësorët, hapësira publike dhe në tërësi, një peizazh i përmirësuar infrastukturor.

Ky projekt parashikon gjithashtu rinovimin e fasadave dhe restaurimin e ndërtesave të përfshira në ansamblin e qendrës së qytetit, ndërtimin e rrugëve për këmbësorët, krijimin e rrugëve të shkurtra të ecjeve në natyrë dhe fasilitete të tjera për këmbësorët.

Lumi Gjanica, dikur një mrekulli natyrore, me të cilin “Zoti” bekoi qytetin e Fierit, për shumë vite u keqpërdor nga bizneset, të cilat e shndërruan atë në një vendgrumbullim plehrash dhe hidrokarburesh.  Gjanica buron nga Mallakastra dhe përshkon qytetin e Fierit. Ai është degë e Semanit dhe buron nga pjesa jugore e malit të Shpiragut, përshkruan gjithë trevën e Mallakastrës, kalon mes përmes qytetit të Fierit dhe derdhet në Seman, në afërsi të Mbrostarit. Gjanica ka një gjatësi prej 42 km . /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.