Për dy javë dymijë inspektime, 130 gjoba për shkelje të masave anti-COVID

PRISHTINË, 14 janar /ATSH/ Kryeinspektori sanitar në Kosovë, Ibrahim Tërshnjaku gjatë një interviste televizive tha se, gjatë festave të fundvitit kishte intensifikim të inspektimeve, ku nga dymijë kontrolle, u vendosën gjoba 300 subjekteve të gastronomisë.

“Duhet të falënderohen inspektorët dhe policia. Për dy javë janë bërë dymijë inspektime, nga 130 inspektorë të angazhuar vetëm për masa anti-COVID”, tha ai.

Tërshnjaku po ashtu u bëri thirrje qytetarëve që t’i lajmërojnë për parregullsitë që i shohin lidhur me mosrespektim të masave dhe se në afat prej 15 minutash do t’i dërgojnë ekipet së bashku me policinë për ta parë gjendjen faktike.

Ai tregoi edhe që u ndërhy në një rast parandalimi të tubimit, pas raportimit të qytetarëve.

“Në Graçanicë ka pasur informata se ka pasur një tubim dhe kemi shkuar në afat shumë të shkurtër dhe nuk është lejuar mbajtja e tubimit, i cili kishte të bënte për hir të festës së Vitit të Ri Ortodoks”, u shpreh Tërshnjaku.

Ndërsa, lidhur me akuzat e një pjese të gastronomëve se inspektorati vendos dënime vetëm ndaj bizneseve të zgjedhura, Tërshnjaku tha se këto nuk qëndrojnë dhe se çdo ditë bëhen planet e përditshme, ku asnjë inspektor nuk e ka terrenin e njëjtë dhe se nuk shkon në rrugë të njëjtë në natën e njëjtë.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.