Certifikata elektronike e fiskalizimit gjenerohet nga e-Albania

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Nga janari 2022 bizneset, që e kryejnë pagesën online me kartë debiti ose krediti përmes e-Albania-s, do e marrin certifikatën elektronike për fiskalizimin brenda 60 minutash.

“e-Albania” bëri të ditur lajmin që është një lehtësi shumë e madhe për bizneset, eliminon në kohë rekord afatin që një subjekti i duhej të priste për t’u pajisur me certifikatën elektronike për projektin e fiskalizimit, pa u penguar në lëshimin e faturave elektronike si rrjedhojë e kohës.

Nga kjo procedurë e thjeshtuar nuk përfitojnë bizneset, që gjatë aplikimit për certifikatë elektronike zgjedhin opsionin e pagesës nëpërmjet shkarkimit të mandat pagesës, për të vijuar fizikisht në bankë.

Për këto aplikime, sikurse edhe aktualisht, biznesi, përmes e-Albania, do të pajiset online me certifikatën elektronike të fiskalizimit brenda 10 ditësh pune, si pasojë e punës manuale nga stafi.

Ndërkohë që për pagesat online me anë të kartës, sistemi kryen automatikisht trajtimin e kërkesës dhe gjenerimin e certifikatës.

Sipas e-Albania, ky sistem është testuar në ditët e para të janarit dhe po funksionon shumë mirë.

Në videon në link  Aplikimi për certifikatën elektronike jepet procedura e thjeshtuar të aplikimit për certifikatën elektronike të fiskalizimit, brenda 1 ore.

Sipas të dhënave të tjera nga Ministria e Financave, nga 1 janari dhe deri tani janë fiskalizuar 66,000 biznese sipas të dhënave të përditësuara të tatimeve apo 55 % e totalit të bizneseve që kanë detyrimin të fiskalizohen.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.