Titulli “Mjeshtër i Madh” për atletin e ndjerë Kastriot Sulçe

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Presidenti Ilir Meta nderoi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, atletin shqiptar Kastriot Sulçe, pas vdekjes.

“Sot pata kënaqësinë të nderoj me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, rekordmenin e atletikës shqiptare, të paharruarin Kastriot Sulçe”, shprehet Meta.

Presidenti vuri në dukje se, edhe pse për shkak të persekutimit politik dhe internimeve familjare u diskriminua dhe u privua të stërvitej, si të gjithë bashkëmoshatarët e tij, ai kurrë nuk u thye, nuk u dorëzua dhe nuk e braktisi ëndrrën për të qenë kampion duke mbetur përgjithmonë një shembull frymëzimi për më të rinjtë.

“Nderimi i Tij, sot në Ditën e Rinisë, është edhe një shprehje vlerësimi për kontributin e veçantë të dhënë në Lëvizjen Studentore të Dhjetorit ’90, që përmbysi regjimin më mizor të kontinentit dhe solli Demokracinë, Lirinë dhe Pluralizmin Politik.

Falënderoj futbollistin dhe trajnerin e mirënjohur Jani Kaçi, që gjithmonë është kujdesur për të lartësuar me meritë figurën e atletit të jashtëzakonshëm, kampion kombëtar me fanellën e “Skënderbeut”, Kastriot Sulçe”, tha Meta.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.