Rama uron Ditën e Rinisë: 8 Dhjetori, dita që mbetet e re çdo vit

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot Ditën e Rinisë, ndërsa kujtoi se në vitin 2022 Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë.

“Mirëmëngjes dhe me ditën që mbetet e re çdo vit, 8 dhjetori që i dedikohet vetëm të rinjve, e me Tiranën që në 2022-in do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë, ju uroj një ditë të bukur”, tha Rama, ndërsa ndau videon promovuese.

8 Dhjetori shënohet si Dita Kombëtare e Rinisë. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të Dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.

Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.

Akti i tyre publik, sa qytetar, aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.

Vlerat e kësaj dite bëhen gjithnjë e më shumë vlera kombëtare, sepse ndryshe nga ngjarjet e tjera 8 Dhjetori nuk pati dy palë, një fituese dhe një të humbur.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.