Kim uron Ditën e Rinisë: Të zgjedhim të ardhmen në vend të së shkuarës

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ende me studentët e Shqipërisë në kërkesën e tyre për të qenë “si pjesa tjetër e Europës”.

Kështu u shpreh sot ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ndërsa uroi 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë.

“Jemi krenarë që jemi aleati juaj në NATO dhe mbështesim Shqipërinë në BE. Duam që Shqipëria të jetë më e drejtë, më e fortë, më e pasur. Të vazhdojmë të punojmë së bashku për ta çuar Shqipërinë përpara dhe jo prapa, të zgjedhim të ardhmen në vend të së shkuarës”, tha Kim.

Ajo u shpreh se “sot, ne nderojmë studentët e guximshëm që 31 vjet më parë protestuan pa frikë kundër një prej regjimeve më mizore të Evropës, duke kërkuar fundin e komunizmit dhe fillimin e një epoke të re lirie, pluralizmi, ekonomie tregu, lirisë së fesë dhe lirisë së fjalës”.

“Ata kërkuan një Shqipëri ‘si pjesa tjetër e Europës’. Ne jemi krenarë që kemi qëndruar pranë popullit të Shqipërisë atëherë dhe do të qëndrojmë pranë tij, ndërsa përqafon të ardhmen”, thuhet në njoftim.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.