Dita e Rinisë, Basha: Sot është edhe dita për të kërkuar falje

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se Partia Demokratike ka ditur dhe do të dijë të qëndrojë në këmbë e fortë dhe e bashkuar, sepse ka një mision, “Shqipërinë si gjithë Europa”.

Në aktivitetin e organizuar me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë, Basha i shprehu mirënjohjen studentëve të dhjetorit ’90, të cilët u ngritën dhe mposhtën frikën, duke sjellë lirinë politike dhe pluralizmin.

“Janë 3 ngjarje, por në fakt është 1 ngjarje: Kryengritja studentore e Dhjetorit ’90, liria politike e pluralizmit, lindja e Partisë Demokratike. Kulti i individit për fat të keq vazhdon, siç vazhdojnë shumë aspekte të mentalitetit komunist të dominojnë jetën publike, politike, pa diskutim Partinë Socialiste, kundërshtarin tonë historik, por vazhdojnë edhe brenda familjes tonë politike. Dhe ky nuk është momenti për të thirrur emrin e kryetarit, sepse në vetvete që kulti i individit bëri është që shkatërroi individualitetin e çdo shqiptari”, tha ai.

Basha tha se “sot është edhe dita për të kërkuar falje, sepse 31 vjet më vonë ndodhemi përsëri në kushtet e një regjimi që shumë ka të përbashkëta me diktaturën dhe me produktet e diktaturës”.

“Ne e dimë se detyra jonë kryesore është të përballemi me këtë regjim, por para se t’i rikthehem edhe njëherë për herë të fundit duhet të jemi të vërtetë dhe kur kërkojmë falje duhet të dimë për çfarë të kërkojmë falje”, tha ai.

Në emër të Partisë Demokratike, Basha kërkoi falje për “të gjitha përgjegjësitë, gabimet dhe fajet tona që i kanë mundësuar këtij regjimi ta kthejë Shqipërinë në shumë aspekte në dimensionin e vuajtjes, aty ku ishte 31 vite më parë”.

“Bashkë me këtë zotohem para jush dhe para çdo shqiptari që na ndjek në 8 dhjetor në këtë ditë të shenjtë, Ditën e Rinisë, ditën e lirisë se Partia Demokratike është në këmbë, Partia Demokratike është e fortë, Partia Demokratike ka ditur dhe do të dijë të qëndrojë në këmbë e fortë, e bashkuar sepse ne kemi një mision, lirinë demokracinë Shqipërinë si gjithë Europa. E kemi marrë nga dhjetoristët dhe nuk e dorëzojmë deri sa ta bëjmë realitet”, shtoi ai. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.