Finalizohet operacioni “Kompleks”, arrestohen 5 persona

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ 5 persona janë vënë në pranga në kuadër të operacionit policor të koduar “Kompleks”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.

Policia e Shtetit njoftoi sot se në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, bazuar dhe në provat e grumbulluara, si rezultat i një hetimi disamujor, nën drejtimin e Prokurorisë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Strukturave të Hetimit në DVP Tiranë, është finalizuar operacioni policor “Kompleks”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit:  Sh. P., 24 vjeç, për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”;  Xh. K., 23 vjeç, G. Z., 23 vjeç, A. D., 30 vjeç dhe E. D., 26 vjeç, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Policia bën të ditur se, “këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitet kriminal në fushën e shpërndarjes  së lëndëve narkotike të llojit heroinë dhe cannabis sativa, në zona të ndryshme të Tiranës”.

“Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e llojit pistoletë, 2.600.000 lekë të rinj dhe 2000 euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, një sasi lënde narkotike heroinë, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, një peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike, 10 telefona celularë, një automjet që përdorej nga të arrestuarit për shpërndarjen e lëndës narkotike”, informon Policia.

Vijon operacioni për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë, si dhe dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.