Presidenti i FIA-s mbështet projektin e automotoparkut të Krastës

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Presidenti i FIA-s, njëkohësisht i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për sigurinë rrugore, Jean Todt vlerësoi sot përpjekjet e qeverisë shqiptare në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore, ndërsa shprehu mbështetjen për projektin e krijimit të një qendre kushtuar sporteve automobilistike.
Kryeministri Edi Rama ndau sot mesazhin e Todt, të cilin e falënderoi për mbështetjen.

“Mesazhi i ikonës së motosportit botëror Jean Todt, Presidenti i FIA, për automotoparkun e parë shqiptar, që do të investohet nga DPSHTRR në Krastë, Elbasan”, tha Rama.

Ndërkohë, Presidenti i FIA-s në videomesazhin e tij shprehet se ka ndjekur me interes dhe kënaqësi përpjekjet e ndërmarra nga qeveria shqiptare për forcimin e rregullave të sigurisë rrugore.

“Dy vjet më parë pata mundësinë të diskutoja me Kryeministrin Edi Rama lidhur me sfidat dhe rëndësinë e zbatimit të kësaj politike. Sot, dua ta përgëzoj këtë angazhim politik për një kontroll më të mirë të shpejtësisë në qendrën e qytetit dhe pranë shkollave, duke iu kushtuar vëmendje më të madhe të gjithë përdoruesve të rrugës, veçanërisht këmbësorëve dhe çiklistëve, duke ju siguruar korsi të sigurta e të dedikuara”, tha ai.

Presidenti i FIA-s u shpreh se nevojitet më shumë parandalim, por edhe vullnet më i fortë për të ndëshkuar sjelljet e rrezikshme dhe mosrespektimin e rregullave të qarkullimit.

Sipas tij, “këto janë disa prej rregullave kryesore që mund të sjellin rezultate pozitive”.

“Po kështu, e di që Shqipëria kishte një projekt ambicioz, krijimin e një qendre kushtuar sporteve automobilistike, por edhe edukimit dhe formimit. Sigurisht, FIA e mbështet këtë nismë, që është në përputhje me përparësitë e saj për zhvillimin e sportit dhe edukimin e të rinjve, veçanërisht sa i takon sigurisë rrugore. Të gjitha këto ishin arsyet pse desha t’ju dërgoj këtë mesazh urimi si President i FIA-s dhe si i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për sigurinë rrugore. I vlerësoj këto përpjekje dhe ju falënderoj për to”, tha ai.

Ky park do të shërbejë edhe si qendër eventesh indoor dhe outdoor, muzeu e atelieri RETRO, drag strip me gjatësi 1.2 km në kushte sigurie, autodrom dhe kartodrom i parë i homologuar, akademi motosporti dhe akademia e edukimit mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë offroad, helipad dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra të lehta.

/m.m/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.