PD: Përfaqësuesi i Tom Doshit, firmos si delegat i Berishës

TIRANË 6 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Koordinatori Kombëtar për Teknologjinë e Komunikimit dhe Informacionit e Dixhitalizimin pranë Partisë Demokratike, Endri Hasa deklaroi sot se përfaqësuesi i Tom Doshit ka firmosur si delegat i Sali Berishës.

Në një deklaratë për mediet, Hasa u shpreh se “në 8 vite, Partia Demokratike ka dënuar ashpër influencën e grupeve kriminale në politikë dhe ka zhvilluar një betejë të hapur kundër përfshirjes së tyre në politikë, duke miratuar dhe ligjin e Dekriminalizimit”.

“Është trishtuese që sot persona të skeduar si të lidhur me krimin dhe ortakët e Edi Ramës në masakrën zgjedhore, Aqif Rakipi dhe Tom Doshi, ndërhyjnë që të mbledhin firma për Sali Berishën. Një ndër ta është edhe Përparim Kolaveri, përfaqësues i Tom Doshit që firmos si delegat për datën 11 dhjetor. Është e qartë që përçarja e PD-së ështe interesi më i mirë i regjimit të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij “non grata”. Demokratët do të vazhdojnë betejën e tyre kundër regjimit të Ramës dhe tentakulave të tyre pranë PD-së. Demokratët kanë një dhe vetëm një kundërshtar, ai është Edi Rama dhe regjimi i tij”, shprehet ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.