Mazi: Të 27 vendet anëtare të BE-së në favor të mbajtjes të Konferencës Ndërqeveritare me Shqipërinë

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Kryenegociatori për integrimin europian, Zef Mazi deklaroi sot se “presidenca sllovene e BE-së po bën gjithçka mundet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare brenda këtij viti”.

Në një intervistë për JavaNews, Mazi foli mbi pritshmëritë për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare me BE-në deri në fund të vitit.

“Jemi praktikisht në një fazë kritike për BE-në dhe për ne. Është e domosdoshme që të vijojë procesi i zgjerimit, pa ulur ritmin dhe pa u ndalur. Them këtë se duket që ky proces e ka humbur dinamizmin politik. Ai duhet të rimerret, veçanërisht tani, në prag të miratimit të kuadrit negociues dhe të vendimit, me shpresë për mbajtjen e Konferencës të parë Ndërqeveritare, me metodologjinë e re. Komisioni Evropian, institucionalisht, e shkroi në raportin e vitit 2021 se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat për mbajtjen e kësaj konference këtë vit”, tha Mazi.

Ai tha se “Presidenca sllovene po bën gjithçka mundet. Grupet për zgjerimin dhe për çështjet e përgjithshme politike në Bruksel, janë duke punuar mbi draftin e projektdeklaratës për mbledhjen e Këshillit me 16-17 dhjetor. Presidenca sllovene po punon që në projekt konkluzionet e Këshillit të mund të përfshihet konferenca në fjalë. Ka ende shpresë. Sllovenia do të punojë deri në orën 23.59 minuta të datës 31 dhjetor 2021. Puna vazhdon. Përmes kontakteve ditore unë e ndjek ecurinë e punëve. Ka ende shpresë që të mos shkohet duar bosh në festat e fundvitit. Të shohim”.

Mazi tha se për Shqipërinë nuk ka kundërshtime nga shtetet e BE-së. “Të 27 vendet janë në favor të mbajtjes të konferencës, përfshirë Bullgarinë. Në nivelin më të lartë të shtetit, Bullgaria deklaroi zyrtarisht para pak ditësh se Shqipëria duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut. Shumica e vendeve të BE-së duan që të vijohet me konferencat për të dy vendet. Tani është thjesht çështje politike: çfarë mesazhi do jepej nëse ndaheshin kur Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka që i është kërkuar! Ky do ishte shpërblimi?! Ndërsa Bullgaria nuk mendon kështu. Ajo i përmbahet qëndrimit të saj se Maqedonia e Veriut nuk i ka përmbushur kriteret. Në BE nuk ka konsensus”, shtoi ai.

Kryenegociatori theksoi se “Shqipëria praktikisht po mbahet peng, po pëson dëm kolateral nga ky ngërç politik, që në thelb ka çështje të identitetit”.

“Duket se harrohet se ata që arrijnë të bëjnë kompromise lartësohen, hyjnë në histori. Shqipëria nuk ka fare të bëjë me asnjë element të këtij ngërçi. Është një situatë politiko-surrealiste. Kur janë në mes, në diskutim, apo kur vihen në pikëpyetje, aspekte identitare, vështirësitë shumëfishohen për të pasur një zgjidhje të afër, të qëndrueshme apo të parashikueshme në kohë. Më 4 dhjetor 2021 është mbledhur parlamenti i ri bullgar. Ai do mblidhet përsëri javën tjetër. Pas formimit të koalicionit qeverisës do shihet më qartë sesi do trajtohet ajo çështje, me çfarë emfaze, në çfarë drejtimi”, tha ai.

I pyetur mbi ecurinë e procesit gjatë Presidencës franceze në vijim, Mazi tha se “Franca do ketë zgjedhje presidenciale në prill 2022 dhe kjo e komplikon punën. Sensitiviteti ndaj Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimit midis Sllovenisë dhe Francës nuk është i njëjtë. Presidenca franceze prioritet të parë do ketë zgjedhjet presidenciale. Aspekte të ndryshme të politikës të jashtme do shihen në funksion të këtyre zgjedhjeve. Shpresoj që zgjerimi do të jetë një ndër prioritetet e Francës. Nuk di të them sot sa lart do jetë në atë listë prioritetesh. Shënoj se fakti që Franca ka ndihmuar, e ka shtyrë procesin midis Bullgarisë dhe Maqedonisë të Veriut, edhe me një farë presioni, është pozitive. Unë kuptoj që Presidenca franceze mund të marrë vendim për Konferencën në janar-shkurt 2022, nëse nuk do merret vendimi deri në fund të këtij viti. Por nuk di nëse një vendim i tillë do jetë për ta mbajtur atë brenda Presidencës franceze, apo asaj çeke, që fillon më 1 korrik 2022”, shtoi ai.

Sipas Mazit, “zgjidhja ideale do ishte që Konferencat të mbaheshin për të dyja vendet njëherësh. Nëse nuk është e mundur, është logjike dhe e justifikueshme që të shtrohet pyetja: Deri kur do presë Shqipëria? A ka një afat se kur duhet të zgjidhet kjo mosmarrëveshje? Do ishte e padrejtë, ndoshta edhe moralisht e diskutueshme, nëse kjo pengmbajtje do të vazhdonte pa ditur kur do mbyllej”.

I pyetur nëse ka lodhje apo ulje ritmi në punë, Mazi tha se “situata nuk është e lehtë, në një numër aspektesh, për të mbajtur ritëm të lartë në punë”.

“Po bëhet më e mira e mundshme. Që nga marrja e kësaj detyre, është pothuajse e njëjta pamje. Kjo kërkon sforco dhe impenjim mjaft të madh për të kryer funksionet e rolet, brenda dhe jashtë vendit, në nivelin e duhur e të pritshëm. Kërkesat e punës për integrimin, puna përgatitore për të filluar bisedimet në tryezë, kërkon nivel të lartë, peshën e duhur, njohuri e përvojë të gjerë e të thellë diplomatike e negociuese. Puna deri tani është një e njëqinda e asaj që na pret me uljen në tryezën e bisedimeve. Çanta e veglave të punës duhet të ketë të gjitha pajisjet që duhen. Përgatitjet sa më parë e të plota para uljes në tryezën e bisedimeve evitojnë humbje të ndjeshme kohe më vonë. Ritheksoj, po bëhet më e mira e mundshme”, shtoi ai.

Aktualisht, sipas Mazit, “ka zvarritje nga BE prej tashme 3-4 vitesh dhe kjo është e dukshme”.

“Ka lodhje në përgjithësi me këtë zvarritje. Zgjerimi nuk po shihet si investim strategjik i BE-së në Ballkanin Perëndimor. BE nuk ka mundur t’i përgjigjet zhvillimit të situatave dhe të pritshmërisë të popujve tanë me argumenta dhe me strategji bindëse. Për popullin tonë, BE ka qenë përherë sinonimi i paqes dhe stabilitetit, i demokracisë dhe lirisë, vlera themelore këto që karakterizojnë BE-në. Është fakt se sot BE-ia nuk po gjen unitetin dhe forcën e duhur politike që ta çojë përpara projektin e zgjerimit, projekti më i madhi i BE-së që nga Samiti i Selanikut në 2003, ku BE bëri deklaratë të qartë të vullnetit të saj politik. Prandaj njerëzit sot duket se po mërziten. Zgjerimi për ta po bëhet diçka gjithnjë e më abstrakte. Por duhet durim, durim dhe përsëri durim”, tha ai.

Pjesë e ekuacionit në këtë paketë çështjesh, sipas Mazit, “është edhe vetë gjendja e brendshme e BE-së, ndoshta e qëndrimeve disi egocentriste, nacionaliste aty”.

“Zgjerimi nuk duket se është shumë popullor në disa vende të BE-së. Kjo luan rol në sa lart apo sa poshtë në hierarkine e prioriteteve është zgjerimi. Politikanët nuk duan të humbin votat e elektoratit. Pavarësisht retorikës, unë kuptoj se ndoshta ka ndonjë anëtar, ose më shumë se një, që nuk duket se ka “oreks” për zgjerim tani për tani. Për rrjedhojë përdoren artifice të ndryshme, gjenden edhe sebepe, përfshirë rregullimet e brendshme në BE, gatishmëria e BE-së për të absorbuar anëtarë të rinj, interpretime dhe zbatime të shtetit të së drejtës, mediat, arsimi, buxheti, rikonfigurim i ri i mundshëm ndërmjet kryeqyteteve kyç në tabelën e shahut, etj.”, tha ai.

Mazi tha se “Konferenca e parë Ndërqeveritare është latuar aq shumë, sa tani duket se ka marrë një farë konotacioni edhe disi derogativ”.

“Kjo Konferencë nuk është si Konklavi i Papatit, që zgjedh Papën. Ajo është vetëm hapi i parë, ulja në tryezë për të filluar bisedimet teknike me Komisionin, as më shumë, as më pak,” tha ai.

Ndërkohë i pyetur mbi situatën politike në Gjermani, Mazi tha se “koalicioni i ri gjerman – PSD, Partia Liberale dhe ajo e Gjelbër – u ngjiz më 24 nëntor 2021”.

“Bundestagu mblidhet më 8 dhjetor 2021. Sipas programit të koalicionit, guri themelor i politikës të jashtme do jetë: ‘Gjermania nuk do mund t‘i përballojë sfidat vetëm, por vetëm përmes projektit evropian’. Kjo kërkon një BE të fortë demokratikisht, të aftë të negociojë dhe të jetë strategjikisht sovrane që të mbrojë vlerat e saj dhe shtetin ligjor brenda dhe jashtë dhe të jetë e gatshme të veprojë për ta. Marrëveshja e koalicionit përmban në deklaratë që interesat e Gjermanisë duhet të përcaktohen në dritën e interesave evropiane”. (Kjo ka qenë edhe në koalicionet e mëparshme.) Disa aspekte të tjera në marrëveshje duhen parë me kujdes sesi do ecin, ku do çojnë. Më specifikisht, thuhet se “qeveria synon të përdorë Konferencën për të Ardhmen e Evropës për të reformuar BE-në përfshirë, nëse është e nevojshme, amendimin e traktateve themelore”. Për ta bërë këtë gjë do duhet të mblidhet Konventa. Në vijim, konsiderohet e dëshirueshme që të zgjatet e drejta e iniciativës te Parlamenti Evropian, veçanërisht duke amenduar Traktatet. Nëse kjo nuk do jetë e mundur, të realizohet përmes një marrëveshje ndërinstitucionale. Synimi duket se është një shtet federal evropian bazuar mbi Kartën e të Drejtave Themelore“, etj.”, analizoi Mazi.

Ai shtoi se “qeveria e re dëshiron të rrisë sovranitetin strategjik të BE-së, veçanërisht në kontekst global, në fusha strategjike si energjia, shëndeti, importet e lëndëve të para dhe teknologjinë dixhitale që Evropa të jetë më pak e varur dhe jo lehtë për t’u sulmuar“.

“Marrëveshja kërkon që të mbrohen bizneset evropiane nga sanksionet që vihen nga jashtë BE-së. Për shtetin e së drejtës, ajo do që të mbrohet Traktati i Unionit Evropian në mënyrë të efektshme. Ka dhe një numër pikash të tjera si: mundësimi i demokracive liberale evropiane për të mbrojtur më mirë veten nga brenda dhe nga jashtë; politikat fiskale dhe të bashkimit monetar për të siguruar rritje dhe borxhe të qëndrueshme; bërjen me fleksibël të shpenzimeve buxhetore; Evropa sociale; zgjatja e mandatit të gjykatësve në Gjykatën e Drejtësisë Evropiane deri në 12 vjet; mbrojtja nga fatkeqësitë natyrore evropiane, axhenda e gjelbër, etj. Disa prej tyre do kenë implikime direkte dhe indirekte te kandidatët për BE, te procesi i zgjerimit, që edhe mund të shtyhet për pasojë”, tha ai.

Mazi shtoi se “politika e jashtme e qeverisë të re është e angazhuar për paqen, të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe shmangien e konflikteve”.

“Qëllimi është që ta bëjë BE-në lojtar sovran, të fortë në arenën ndërkombëtare, që kërkon një politikë vërtetë të përbashkët të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Pikë mjaft sensitive është se në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, koalicioni synon të fusë një procedurë vendimmarrjeje me shumicë të kualifikuar, duke siguruar që interesat e vendeve të vogla anëtare të reflektohen si duhet në vendime. Parashikoj debat të madh brenda BE-së kur të vijë dita e këtyre pikave. Shtete të ndryshme anëtare janë mjaft sensitive. Mendoj se rreth tyre do ketë debat mjaft të nxehtë në BE”, tha Mazi.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.