Manja të rinjve: Ju mund të jeni ambasadorë të luftës kundër pandershmërisë

TIRANË 6 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Në kuadër të Javës së Integritetit organizuar nga Ministria e Drejtësisë, u zhvillua sot forumi i diskutimit me disa organizata rinore.

Në takimin e moderuar nga zv/ministrja Adea Pirdeni, foli fillimisht ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili ka kërkuar që angazhimi i ndërmarrë nga qeveria dhe Ministria e Drejtësisë nëpërmjet Drejtorisë Antikorrupsion, në luftën kapilare kundër zyrtarëve që keqpërdorin besimin e qytetarëve, të përfshijë edhe të rinjtë.

“Në konceptin tim, brezi juaj, apo më i ri, jeni brumi me të cilin do të gatuhet në vitet e dekadat e ardhshme shoqëria shqiptare. Si do të jetë ajo? E pra, nëse ju mundeni, nëse ju doni, nëse ju e ndjeni, mund të bëheni ambasadorë, përçues, dishepuj të luftës kundër urrejtjes, lakmisë, arrogancës, pandershmërisë, krenarisë idiote, apo përfitimit e karrierës së pamerituar, mes bashkëmoshatarëve tuaj, apo atyre më të vegjël. Kjo mendoj unë është një punë dhjetëra herë, qindra herë më e mirë, se sa mijëra fjalë e fjalime, se sa qindra strategji. Kjo është të nisësh të formosh integritetin tënd dhe besoj që kjo është arma më e fortë në dorën e antikorrupsionit”, tha Manja duke informuar të rinjtë më pas në një diskutim të mbi problematikat që i shqetësojnë ata, propozime dhe sugjerime të ndryshme.

Java e integritetit vijon nesër në një takim me përfaqësues të biznesit.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.