Denar Biba propozohet në krye të Komisionit të Konkurrencës

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot kandidaturën e Denar Bibës për postin e kryetarit të Komisionit të Konkurrencës.

Opozita e kundërshtoi kandidaturën e Bibës në këtë post, pasi sipas saj, ky person ka anshmëri politike.

“Zotëria që është propozuar kandidat nga ju për të marrë pozicion të rëndësishëm duhet të vijë me një platformë për të treguar vizionin që ka për të drejtuar këtë pozicion. Autoriteti i Konkurrencës duhet forcuar që të bëjë rolin që duhet të bëjë, pasi të gjithë kemi rënë dakord që pjesa e monopolit është problem”, tha deputeti i PD-së në këtë komision, Alfred Rushaj.

Po ashtu, Rushaj solli në vëmendje edhe një situatë ku Biba është akuzuar nga një anëtar i Gjykatës së Strasburgut për ndërhyrje në një çështje.

Njëkohësisht opozita tha se i takon opozitës të ketë përfaqësues në këtë komision.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi sqaroi edhe dy pretendimet e opozitës.

“Dëgjesat janë të detyrueshme kur ne zgjedhim anëtarët. Në rastin e kryetarit, ai emërohet dhe nuk ka patur një praktikë parlamentare për një kryetar të AK që është dëgjuar në komision parlamentar”, tha Shalsi.

Shalsi dha një shpjegim edhe lidhur me akuzën për ndërhyrje.

“Nuk ka asnjë dokument që anëtari i Gjykatës së Strasburgut të ketë akuzuar, madje ka një vendim gjykate për pushimin e çështjes, ku theksohet se nëse do të kishte patur gjyqtari në fjalë do ta kishte depozituar në organet e vendit. S’ka patur asnjë referim nga zotëria”, u shpreh Shalsi.

Ndërkohë deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti tha se Denar Biba ka qenë i pranishëm në komision ku ka prezantuar vizionin e tij për detyrën në Autoritetin e Konkurrencës në kohën kur u zgjodh anëtar i këtij Autoriteti.

Ndërsa sa i takon akuzave për njëanshmëri politike, Gjylameti tha se akuza është tërësisht e pabazë.

”Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve nuk është person politik. Propozohet nga partitë politike. Sa i përket integriteti e kemi parë nga vlerësimet që ka marrë në atë pozicion. Akuza në media dhe portale apo ato që ngrihen nuk marrin bazë ligjore dhe nuk shkojnë para institucioneve të drejtësisë për tu adresuar, nuk duhet të merren parasysh”, tha Gjylameti.

Komisioni miratoi dhe i propozoi seancës parlamentare kandidaturën e Denar Bibës. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.