Kontrolle në Rrugën e Arbrit dhe ato interurbane, pezullohen 30 leje drejtimi

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Policia e Shtetit po vijon monitorimin e qarkullimit rrugor, me makinën inteligjente dhe me radarë, për të parandaluar aksidentet rrugore. Monitorimi ka vijuar prej dy ditësh, edhe në Rrugën e Arbrit.

Gjatë dy ditëve të fundit, në Rrugën e Arbrit dhe në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën janë pezulluar 30 leje drejtimi, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative, 252 drejtues mjetesh, nga këta 141 janë konstatuar në shkelje të dyfishtë apo të trefishtë.

“Si rezultat i monitorimit, gjatë dy ditëve të fundit, në rrugën e Arbrit janë konstatuar 11 drejtues automjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi 70 km /h, ku shpejtësia e lejuar është 40 km/h, pasi rruga është akoma në ndërtim. Këtyre drejtuesve u është pezulluar leja e drejtimit, nga 1 deri në 3 muaj, si dhe janë ndëshkuar edhe me masë administrative nga 7000 deri në 15000 lekë secili. Po gjatë monitorimit në rrugën e Arbrit, nga makina inteligjente dhe radari Patrol janë konstatuar në shkelje për shpejtësi, rrip sigurimi e përdorim celulari, por edhe për parakalime të gabuara që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore, 74 drejtues mjetesh, të cilët janë ndëshkuar me masa të ndryshme administrative, sipas shkeljeve përkatëse”, informoi Policia e Shtetit.

“Monitorimi ka vijuar edhe në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën, ku si rezultat i monitorimit nga radari Patrol dhe makina inteligjente, janë evidentuar dhe ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit, 19 drejtues mjetesh, të cilët janë ndëshkuar edhe me masë administrative”, vijon njoftimi.

Policia bën të ditur se, “gjithashtu janë ndëshkuar me masa administrative, 178 drejtues mjetesh, për shpejtësi mbi normat e lejuara, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit”.

“Nga këta 76 janë konstatuar në shkelje të dyfishtë, konkretisht për shpejtësi dhe përdorim celulari, 31 për shpejtësi dhe mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 34 në shkelje të trefishtë, mosvendosje të rripit të sigurimit, shpejtësi dhe përdorim celulari gjatë drejtimit të automjetit”, theksohet në njoftimin e Policisë. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.