BM – Johnson: I shqetësuar që mijëra familje janë ende pa energji elektrike

LONDËR, 5 dhjetor /ATSH-DPA/ – Mijëra familje janë ende pa energji, më shumë se një javë pas stuhisë Arwen, ndërsa kryeministri britanik Boris Johnson deklaroi se është shumë i shqetësuar për këtë fakt.

”Rreth 4 700 shtëpi në të gjithë Anglinë Veriore dhe Skoci janë ende pa furnizim, më shumë se një javë pasi stuhia goditi vendin më 26 nëntor”, sipas Shoqatës britanike të  Rrjeteve të Energjisë (ENA).

Dje, Johnson tha se ”qeveria është e gatshme të mbështesë më tej punën e rimëkëmbjes në çdo mënyrë që mundemi”.

“U jam mirënjohës të gjithëve për përpjekjet e palodhshme të ekipeve të urgjencës dhe vullnetarëve në terren, por mbetem i shqetësuar se më shumë se 4 700 familje janë ende pa energji elektrike”, tha ai në Twitter.

”Qeveria është e gatshme të mbështesë më tej punën e tyre në çdo mënyrë që mundemi”, theksoi ai.

Sinoptikanët parashikojnë temperatura të ulëta, të shoqëruara me erëra të forta për rajonin./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.