Reshje dëbore në Qafë Thorre-Bogë-Theth, ARRSH: Mjetet borëpastruese në terren

TIRANË 4 dhjetor /ATSH-I.Vata/- Prej orëve të para të ditës së sotme në segmentin rrugor Qafë Thorre-Bogë-Theth kanë filluar reshjet e dëborës me intensitet.

Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaron se mjetet borëpastruese janë në terren ku po bëhet pastrimi dhe hedhja e kripës në këtë segment.

ARRSH bën me dije se në aksin Bajram Curri-Fierzë km 10 si pasojë e shiut të dendur ka pasur prurje të shumta në trup të rrugës.

“Kontraktori menjëherë ka bërë devijimin e prurjeve dhe po pastron rrugën nga inertet, qarkullimi i mjeteve bëhet pa pengesa”, thekson ARRSH.

Apelohet që drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë dhe të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.