Investitorë italianë: Klimë pozitive për investime në Shqipëri dhe Ballkan

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Panairi Ndërkombëtar i Tiranës organizuar nga Klik Ekspo Group, në edicionin e tij të 27-të shoqërohet me entuziazmin e ringritjes prej vështirësive të krijuara nga pandemia, krijimit të oportuniteteve të reja për investime në sektorë të ndryshëm. Investitorë italianë shprehen entuziastë për klimën e krijuar tashmë në Shqipëri dhe trendin e zgjerimit të bizneseve në rajonin e Ballkanit.

“Është hera e parë që vijmë në Shqipëri, por përmes bashkëpunimit me partnerin tonë shqiptar prej një viti tregtojmë verën tonë, prej tre gjeneratash, në lokalet dhe restorantet shqiptare. Ky panair na ndihmon ta shohim me pozitivitet tregtimin e produktit në tregun shqiptar, edhe pse jo të zgjerohemi në rajonin e Ballkanit,” tha  Salvatore Soro, investitor italian nga Jugu i Italisë, zona e Pulias.

Një tjetër kompani italiane, Ajsia, nga Parma, pjesa Veriore të Italisë, është prezente në panair me produkte të certifikuara dhe të testuara për linjën komplete të mbrojtjes si doreza, tuta, përparëse, e të tjera.

“Për ne është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe shpresojmë të jetë vazhdimi i një serie të gjatë vizitash. Produktet tona ndahen në katër kategori sektoriale, industria e ushqimit, pajisje mbrojtjeje për punë, mjekësore dhe higjienë. Jemi optimist, sepse konkurrojmë në treg me produkte cilësore dhe u ofrojmë përdoruesve tanë një zgjidhje, jo vetëm mbrojtje, këshillim se çfarë produkti duhet të përdorin në bazë të destinacionit”, u shpreh përfaqësuesja  e kompanisë italiane.

“Kjo nuk është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Ne kemi një zyrë përfaqësimi. Jemi me qendër në Itali dhe qëllimi është ta internacionalizojmë dhe ta promovojmë kompaninë. Qëllimi kryesor i kompanisë tonë janë pajisjet që trajtojnë cilësinë e karburantit dhe produktet kryesore janë pajisjet e avionit”, tha Andrea Ricotta, investitor italian.

“Është hera e parë që vijmë në Shqipëri me vajin e ullirit ekstra të virgjër me prejardhje nga ullinjtë në rajonin e Koratos në Bari dhe duam që produkti jonë të jetë i përhapur edhe në Shqipëri”, u shpreh Giuseppe Maldera, investitor nga Italia.

Investitorët të tjerë italianë u shprehen të kënaqur nga Klik Ekspo Group, dhe organizimin e këtij panairi që krijon klimën e duhur për investimeve të huaja në Shqipëri.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.