Urë e re solidariteti, bashkia Casalvecchio e Puglias donacion për Lezhën

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Kryetari i bashkisë Casalvecchio të Puglias, Noe Andreano, në një ceremoni të veçantë që u zhvillua të enjten në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, i dhuroi çekun simbolik kryetarit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, në vijim të nismës së donatorëve për rimëkëmbjen nga tërmeti i nëntorit 2019.

Duke qenë se Lezha është qyteti ku ndodhen eshtrat e Skënderbeut, donacioni vjen nga një bashki arbëreshe, ku në ceremoninë e mbajtur ishte i pranishëm edhe Don Antonio Leuçi, drejtor i Caritas Shqipëria.

Kryetari i bashkisë Casalvecchio të Puglias, Noe Andreano tha se qëllimi i këtij takimi ishte jo vetëm dhurimi i një ndihme financiare në vlerën e 6 mijë euro, por veçanërisht edhe dëshira e madhe që të mbetet një vepër në bashkinë Lezhë dhe në memorien e komunitetit të Lecies dhe Casalvchio-s.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, duke e falenderuar për gjestin e bujarisë, u shpreh i gatshëm për mundësinë e një vepre që të mbetet si dokument i shënuar në memorien e komunitetit të Lezhës.

“Takimi u mundësua në bashkëpunim me Integra Onlus dhe organizatorët e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, nga Klik Exopo Group, me synimin që përmes aktit të bamirësisë të kultivohet kultura e solidaritetit edhe në Shqipëri, që në Itali dhe në botë është në përmasa të mëdha”, u shpreh Klodiana Çuko, presidente e Integra Onlus, themeluar në Itali në 2002, dhe në 2017-ën, fondacioni “Bridge for the future” në Shqipëri për të sjellë pasqyrën e eksperiencës 20-vjeçare për krijimin e një ure të re bamirësie dhe solidariteti në Shqipëri.

Më pas, të ftuarit vizituan ekspozitën “IntegrAzione, 30 vjet nga eksodi i madh shqiptar në Itali”, prezantuar nga Integra Onlus dhe të kuruar nga fotoreporteri Vittorio Arciers.

“Është një vepër që kujton dhimbjen dhe shpresën e një populli të shtypur nga regjimi, i cili e shikonte Italinë si një tokë të re të premtuar”, shpjegon kryetarja e Integra Klodiana Çuka, “si dhe bujarinë e jashtëzakonshme të popullit të Pulias”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.