Sipërmarrja turke, investime në sektorë strategjikë të ekonomisë

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Rikthehet për të pestën herë pavijoni i Turqisë, nën organizimin e Dhomës së Tregtisë të Stambollit, duke sjellë ekspozuesit më të spikatur në fushën e industrisë agroushqimore, tekstilit, materiale ndërtimi, industri kimike.

E rralla e këtij edicioni është edhe ndërthurja e ngushtë me kulturën dhe historinë, duke i shtuar prezantimit të kompanive dhe organizimin e evenimenteve kulturore kushtuar promovimit të librave dygjuhësh.

Në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, prezantohet një nga kompanitë prestigjioze turke në fushën e paneleve diellore, ODUL Sunreliance.

Cagdas Aktas, përfaqësues i kompanisë, e sheh pjesëmarrjen si mundësi bashkëpunimi me tregtarë shqiptarë për zgjerimin e aktivitetit edhe në Shqipëri.

“Jam për herë të parë në Shqipëri, dhe sipas një studim tregu që kemi kryer shohim se ka interes të lartë për panelet diellore. Mendojmë se do jetë efikas bashkëpunimi ynë, pasi garantojmë produkte cilësore me kosto të ulëta”, tha Aktas.

Sipas tij për momentin ka kërkesa për bashkëpunim.

“Jemi të gatshëm për të bërë gjithçka për nxitjen e sipërmarrjeve të reja në Shqipëri, dhe synojmë të intensifikojmë marrëdhëniet në planin afat gjatë. Pikërisht sot kemi arritur të lidhim bashkëpunime të reja, dhe mendojmë se do kemi sukses, siç garanton dhe vetë panairi”, u shpreh ai.

Energjia e rinovueshme është sot në fokus të investimeve që po ndërmarrin sipërmarrjet jo vetëm në vende të ndryshme, por edhe në Shqipëri.

Përfaqësues i kompanisë turke “Kalekim”, me një eksperiencë 50-vjeçare, në partneritet me kompaninë shqiptare “Neon”, aktive në sektorin e prodhimit të bojërave, tha se pjesëmarrja për herë të parë në një panair të këtij niveli në Shqipëri, është përgjegjësi dhe angazhim për të zhvilluar biznesin.

“Ne operojmë në tregun shqiptar prej dy vitesh, kemi partner të rëndësishëm në tregun tonë, dhe mundohemi dita-ditës ta konsolidojmë këtë marrëdhënie. Pjesë e kësaj është edhe pjesëmarrja në këtë panair, sikurse e shohim si një mundësi e mirë dhe me interes konsolidimin e një marrëdhënie me aktorët rajonalë siç janë: Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia”, tha Dritan Dulli, drejtor i shitjeve dhe marketingut për rajonin.

Kompania tashmë prej dy vjetësh ka ngritur fabrikën e saj në Tiranë, dhe prodhon produkte të një cilësie të lartë, që synojnë të tregtohen edhe në vendet e rajonit.

/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.