Reshjet e borës dëmtojnë shtyllat elektrike në Ersekë

TIRANË 3 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Grupet e avarisë së OSSH në Korçë ndodhen në terren për riparimin e linjës elektrike në Ersekë dëmtuar si pasojë e reshjeve të mëdha të dëborës.

Lajmi bëhet i ditur nga OSHEE, e cila njofton për abonentët e energjisë elektrike të Ersekës se për shkak të motit të keq me reshje bore e stuhi, disa zona të thella malore në qarkun e Korçës kanë mbetur pa energji si pasojë e dëmtimit të linjave të tensionit të mesëm.

Sipas informacionit të dispecerisë rajonale të OSHEE, një nga fiderat e NST Mollas, është dëmtuar duke lënë pa energji zonën e Panaritit, Selenicë Pishës që furnizohen nga NST Mollas Ersekë.

Grupet e avarisë së OSSH, rajoni Korçë ndodhen në terren dhe kanë konstatuar se janë dëmtuar 6 shtylla druri dhe 8 shtylla betoni TM si dhe janë këputur përcjellës dhe izolatorë.

Megjithëse punonjësit e OSSH janë në gatishmëri me mjetet e duhura për zëvendësimin e dëmit, terreni i vështirë malor dhe reshjet e borës mbi 40 cm kanë sjellë dhe vonesë në riparimin e avarive dhe rikthimin në kohë sa më të shpejtë të energjisë elektrike.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.