Lufta kundër krimeve të rënda, IPA 2019 mbështetje për agjencitë ligjzbatuese

TIRANË 3 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Projekti i financuar nga BE “Lufta kundër Krimeve të Rënda në Ballkanin Perëndimor – IPA 2019” (CSC WB), zhvilloi mbledhjen e dytë të Komitetit të Palëve të Interesit, me pjesëmarrjen e përfituesve kryesorë, si: Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit dhe struktura e SPAK.

Gjithashtu, në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve që janë partnerë të ngushtë të projektit, si përfaqësues të ambasadës franceze, italiane, spanjolle, gjermane dhe holandeze, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përfaqësues nga projekte të tjera ndërkombëtare që operojnë në fushën e shtetit të së drejtës në Shqipëri, si dhe delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Takimi ishte një mundësi e mirë për të mbledhur të gjithë aktorët kryesorë me qëllim diskutimin mbi ecurinë e projektit dhe aktiviteteve të planifikuara, si dhe mbi arritjet kryesore përgjatë periudhës dhjetor 2020 – nëntor 2021.

Në të u theksua se, pavarësisht sfidave të hasura për shkak të pandemisë COVID-19, asistenca e ofruar në zhvillimin e veprimtarive operacionale për agjencitë ligjzbatuese, SPAK dhe PP, ofrimi i mbështetjes strategjike dhe ekspertizës për të luftuar më mirë krimin e organizuar, krimet e rënda, trafiqet e paligjshme etj., ka qenë e pandalshme.

Palët ndanë ide dhe mendime në lidhje me veprimtaritë e ardhshme të planifikuara për t’u ndërmarrë në kuadër të Planit të ri Vjetor të Veprimtarive, gjatë semestrit tjetër. U nënvizua se, ndërkohë që Plani Vjetor i Veprimtarive do të shërbejë si bazë për ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme në të ardhmen, ai mbetet fleksibël dhe i adaptueshëm ndaj nevojave dhe kërkesave ad hoc të përfituesve, si pjesë e mandatit të Projektit.

Përfituesit shprehën vlerësimet e tyre për punën dhe asistencën e ofruar gjatë vitit të kaluar dhe falënderuan projektin për kontributin e prekshëm, bashkëpunimin shumë të mirë dhe mbështetjen e konsiderueshme në arritjen e objektivave të përbashkëta, duke kontribuar kështu në një shtet më të fortë të së drejtës dhe një Shqipëri, Rajon dhe BE më të sigurt.

Projekti CSC WB siguroi se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë për PP, SPAK, MB, PSH, MD, duke qenë pranë nevojave, synimeve dhe prioriteteve të tyre.

 

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.