ITALI – Draghi: Veprim të përbashkët evropian për imigracionin

ROMË, 3 dhjetor /ATSH-DPA/ – Kryeministri italian, Mario Draghi i ka bërë thirrje Evropës që të veprojë kundër flukseve të paligjshme të migracionit në Mesdhe.

“Vetëm, ne nuk mund ta kontrollojmë imigracionin, i cili është rreth 63 000 të ardhur këtë vit”, tha 74-vjeçari përmes një video-mesazhi në hapjen e Dialogut Mesdhetar në Romë.

”Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, numri është gjashtëfishuar”, tha ai.

Prandaj, ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane bëri thirrje për një pjesëmarrje më të madhe të të gjitha vendeve evropiane.

Nga brigjet e Afrikës së Veriut, por edhe pjesërisht nga Turqia, emigrantët nisen vazhdimisht me varka për të mbërritur në BE me shpresën për një jetë më të mirë.

Destinacioni i tyre është shpesh Italia.

Sipas Draghit, Italia dëshiron të vazhdojë të punojë për të siguruar që Evropa të ecë përpara së bashku për këtë çështje.

”Në këtë mënyrë, imigracioni i paligjshëm duhet të parandalohet dhe të mbrohen më të cenuarit duke forcuar migracionin legal. Ky i fundit përfaqëson një burim dhe jo një kërcënim për shoqërinë”, shpjegoi Draghi./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.