Goditja e tregtimit të mallrave të falsifikuara, Policia e Shtetit pjesë e operacionit të EUROPOL

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Policia e Shtetit ka marrë pjesë në operacionin ndërkombëtar të koordinuar nga EUROPOL-i, “In Our Sites” për goditjen e tregtimit të mallrave të falsifikuara dhe mashtrimit online.

Ky operacion çoi në arrestimin e 12 personave dhe sekuestrimin e mallrave të falsifikuara me vlerë 2,6 milionë euro dhe gjysmë milion euro para të thata.

EUROPOL, njoftoi se, “nga 1 maji 2021 deri më 14 nëntor 2021, u zhvillua operacioni ‘In Our Sites’ që çoi në arrestimin e 12 të dyshuarve, sekuestrimin e mallrave të falsifikuara me vlerë 2,6 milionë euro dhe parave të thata në vlerën 460 468 euro. Operacioni i përbashkët ndërkombëtar përfshiu 30 vende dhe u mbështet nga Koalicioni i Koordinuar i Krimit të Pronësisë Intelektuale të Europolit (IPC3), Eurojust dhe INTERPOL”.

“IPC3 është bashkëfinancuar nga EUIPO (Zyra e Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian) për të luftuar krimin e pronësisë intelektuale. Operacioni synoi posaçërisht faqet e internetit që ofrojnë mallra të falsifikuara dhe janë të përfshirë në piraterinë në internet”, bën të ditur EUROPOL.

Sa i përket rezultateve operacionale, bëhet e ditur se, “12 të dyshuar janë arrestuar. U sekuestruan mallra të falsifikuara me vlerë 2,6 milionë euro. Vlera e totalit të konfiskimeve të parave të thata është 460 468 euro. U bllokuan 494 516 faqe interneti. U hapën 48 çështje penale”.

Operacioni “In Our Sites” është një vazhdimësi e një operacioni të përbashkët të përsëritur global, i cili filloi në vitin 2014 dhe ka pasur pjesëmarrje në rritje çdo vit.

Sa i përket sekuestrimeve, “janë 42 055 artikuj të falsifikuar (këpucë, rroba dhe aksesorë të shumtë), 181 445 kuti me produkte mjekësore të falsifikuara, 11 vepra arti false që shiten në faqet e ankandeve online, 37 makina dhe një motocikletë”.

EUROPOL thekson se, “shitja e mallrave të falsifikuara dhe materialeve pirate po bëhet një problem gjithnjë e më serioz për autoritetet e zbatimit të ligjit për një sërë arsyesh. Interneti i lejon kriminelët të mbeten anonimë për shkak të natyrës pa kufij të tregtisë elektronike ndërkombëtare. Nuk ka qenë kurrë më e lehtë të ofrohen mallra të falsifikuara ose përmbajtje pirate në internet pasi konsumatorët kanë akses në një shumëllojshmëri më të madhe produktesh të paligjshme, por nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet e mundshme”.

Vendet pjesëmarrëse në këtë operacion ishin: Shqipëria, Belgjika, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kolumbia, Kosta-Rika, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjeorgjia, Greqia, Hong-Kongu, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Portugalia, Rumania, Serbia, Spanja, Ukraina dhe SHBA.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.