FOKUS – Stuart Peach i dërguari i posaçëm britanik për Ballkanin Perëndimor

LONDËR, 3 dhjetor /ATSH/ – Stuart Peach u emërua i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe prosperitet në rajon, sipas BBC.

Stuart Peach do të marrë rolin pas dorëheqjes si kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s në fillim të këtij viti, një rol që ai e mbajti që nga viti 2018.

Më parë ai ka shërbyer edhe si shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë britanike.

Si i dërguar i posaçëm i kryeministrit Johnson, ai do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor për të mbështetur dhe forcuar stabilitetin rajonal, për promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, dhe për nxitjen e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara si krimet e luftës dhe personat e zhdukur.

Në Bosnje-Hercegovinë, puna e Stuart Peach do të mbështesë atë të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të MB.

Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga BE.

Përfaqësuesi i Lartë ka paralajmëruar se Bosnje-Hercegovina aktualisht po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial në periudhën e saj të pasluftës dhe se ka një perspektivë reale për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm.

Mbretëria e Bashkuar po ndihmon gjithashtu në adresimin e sfidave të tjera rajonale, duke përfshirë mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe luftën kundër grupeve të krimit të organizuar.

”Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë evropiane. Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e tyre në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur arritjet përmes paqes dhe dialogut. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Stuart Peach do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon të rëndësishëm”, tha për këtë rast kryeministri britanik, Boris Johnson./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.