Eksporti i peshkut ton, Kristo: Në 4 vitet e ardhshme investimi rreth 35 milionë euro

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Shqipëria do të kthehet në një nga pikat më të mëdha në Mesdhe për rritjen dhe tregtimin e peshkut ton. Prej pak ditësh ka nisur eksporti drejt Japonisë.

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo në një intervistë në media tha se përgjatë 4 viteve pritet të investohen 35 milionë euro, duke nxitur fuqizimin e këtij sektori të biznesit në vendin tonë.

Sipas tij, deri tani ne e kemi shitur peshkun ton sapo është kapur në brigjet e Mesdheut, ndërsa sot po krijojmë ferma shqiptare të eksportit drejt Japonisë.

“Shqipëria deri tani e ka peshkuar peshkun ton dhe ia ka shitur të gjallë fermave të tjera spanjolle apo malteze dhe nuk e kemi sjellë në Shqipëri. Sot anijet tona shkojnë deri në fund të Mesdheut dhe peshku ton vjen deri në Shqipëri i gjallë përmes transportit me kosha. Më pas, peshku përpunohet dhe futet në anijet japoneze duke kaluar në ngrirje -85 gradë. Peshku kur shkrihet është përsëri i gjallë. Investimi deri tani është 5 milionë euro dhe brenda 3-4 viteve pritet të shkojë 35 milionë euro duke vijuar me rritje eksponenciale. Tregu i tonit të kuq shkon që në peshkim në anije diku rreth 1.1 miliardë dhe deri te konsumatori final shkon 5 miliardë dollarë. Është një treg i ri biznesi që kemi futur në vendin tonë, ku përfitimet do të jenë të mëdha”, tha Kristo.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.