Ambasadori i Spanjës, i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot ambasadorin e ri të Spanjës në Shqipëri, Álvaro Renedo Zalba me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Presidenti Meta i uroi ambasadorit Zalba suksese në misionin e tij diplomatik në Shqipëri për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona.

Kreu i shtetit vlerësoi rritjen e shkëmbimeve të fundit politike mes dy vendeve dhe nënvizoi rëndësinë e vijueshmërisë më tej të bashkëpunimit, sidomos në fushën ekonomike e tregtare, turizëm, art, kulturë dhe arsim duke shfrytëzuar potencialet ekzistuese reciproke.

Presidenti Meta e falënderoi ambasadorin veçanërisht për qëndrimin mbështetës të Spanjës për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe ndihmën që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.