Vendimi i Kushtetueses për zgjedhjet, Veliaj: Gati t’u shërbejmë shqiptarëve në çdo kohë

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sot pas zbardhjes nga Gjykata Kushtetuese të vendimit të plotë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.

Duke folur edhe si drejtues politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Veliaj tha se kjo forcë politike është tashmë e gatshme për zgjedhjet e pjesshme vendore që pritet të shpallen nga ana e Presidentit të Republikës. Ai deklaroi se në kampin tjetër po luftojnë për kreun e minorancës shqiptare njerëz që kanë bërë krime në këtë vend.

“Ne jemi gati t’i shërbejmë popullit shqiptar, qytetarëve të Tiranës, të Kavajës, të Vorës, të Rrogozhinës, Kamzës e gjithë Shqipërisë çdo ditë e natë. Mjafton vetëm të shihni në TV, një palë është duke u zënë me foltoren dhe këtë zyrën këtu mbrapa të SHQUP-it, kush do bëhet kryetar i minorancës. Njerëz që kanë bërë krime në këtë vend, – Gërdeci ishte krim në këtë vend; 21 Janari ishte krim në këtë vend; Rruga e Kombit ishte krim në këtë vend, në mënyrën se si u abuzua me ato fonde; falja e detit me Greqinë ishte krim në këtë vend, pra janë një tufë njerëzish që kanë bërë krime që zihen me njëri-tjetrin, kush është i pari i një partie kriminale, ndërkohë që ne jemi sot duke garuar ku do ndezim dritat e festës, ku do japim shpirtin e solidaritetit, duke filluar nga Pazari i Ri, tek Kalaja, sheshi, liqeni dhe tek çdo shtëpi e çdo vatër,” u shpreh Veliaj.

Veliaj tha se është mjaft e qartë për të gjithë shqiptarët se kush punon për të ndërtuar Shqipërinë dhe kush për ta shkatërruar. “Po flasim për dy Shqipëri që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën. Një pjesë, një minorancë e cila zihet për karrigen e një zyre këtu mbrapa dhe një pjesë tjetër e cila po mendon ku kemi mundësi që të shërbejmë. Nëse s’na është dhënë mundësi të shërbejmë në disa vende që kanë qenë bastione të atyre që zihen për foltoren, ne jemi të gatshëm të shërbejmë, siç po shërbejmë sot në Kamzë që s’ka qenë bastioni ynë, siç po shërbejmë sot në Kavajë, siç po shërbejmë sot në Vorë. Nuk kanë qenë bastionet tona, por kur na është dhënë mundësia për të shërbyer, për të ndërtuar shtëpi, për t’u siguruar që ka gëzim, që mbaron legalizimi, për t’u siguruar që rritet ndihma ekonomike, për t’u siguruar që mbarojnë shumë prej andrallave të trashëguara prej 30 viteve, ne jemi këtu për të shërbyer. Në qoftë se më pyet, nëse ne thirremi që të shërbejmë, a jemi gati, përgjigjja është: gjithmonë gati! Jemi gjithmonë gati për të shërbyer në këto 6 bashki, apo kudo tjetër ku do jetë nevoja të shërbejmë,” vijoi Veliaj.

Veliaj theksoi se Partia Socialiste forca e një Shqipërie tjetër. “Unë besoj që sot Shqipëria është ndarë në dy, jo në dy parti, por në dy mentalitete, në një mentalitet që thotë: “Ku është karrigia ime?”, “Kush je ti e kush jam unë, edhe pse deri dje ishin bashkë edhe kur vrisnin njerëz në 21 Janar, edhe kur hidhnin njerëz në erë në Gërdec, edhe kur i falnin detin Greqisë, – sigurisht ai që është sot kryetar i partisë firmoste dhe tjetri duartrokiste, – por thelbi është që ishin bashkë dhe sot po mundohen të ndajnë kush kishte më shumë kontribut në aferat kriminale që Saliu e Luli i bënë bashkë. Ndërkohë që ne jemi komplet Shqipëria tjetër, Shqipëria e atyre njerëzve që duan të ngrihen më të fortë, të jenë më të bashkuar, të vaksinohen, të ndërtojnë shtëpitë, të festojnë për Vitin e Ri dhe të shikojnë se si Tirana mund të bëhet kryeqyteti i ëndrrave tona. Vitin tjetër do jemi Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Kryeqyteti Evropian i Rinisë nuk ka lidhje fare me kush do ketë karrigen e foltores, apo SHQUP, kështu që këto janë muhabete të viteve ’90. Ne jemi muhabetet e viteve 2021 e tutje,” deklaroi ai.

Veliaj i bëri këto deklarata gjatë një interviste për një nga mediat në vend nga Kalaja e Tiranës, ku u ndezën edhe aty pas Pazarit të Ri, dritat e pemës festive të Vitit të Ri.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.