Titulli “Qytetar Nderi i Gjirokastrës” (pas vdekjes) për mjekun Drini Dobi

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Këshilli bashkiak i Gjirokastrës i akordoi titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) mjekut të mirënjohur neurolog Drini Dobi. Kanë qenë një grup mjekësh të spitalit “Omer Nishani” në Gjirokastër, të cilët në 1-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta i propozuan këshillit bashkiak akordimin e këtij vlerësimi.

Titulli mjekut gjirokastrit iu akordua me motivacionin: “Mjek i shkëlqyer, simbol i sakrificës dhe humanizmit, profesionist brilant që e nderoi bluzën e bardhë dhe qytetin tonë kudo ku punoi dhe dha kontributin e tij”.

Mjeku Drini Dobi, lindi më 27 janar të vitit 1969, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Ka kryer studimet parauniversitare në qytetin e lindjes, pranë gjimnazit “Asim Zeneli”. Gjatë periudhës kohore 1987–1992 ka kryer studimet e larta në degën “Mjekësi e përgjithshme”. Doktor Drini nisi misionin e tij si mjek i përgjithshëm në Spitalin “Omer Nishani” në Gjirokastër, për të vazhduar me tej si specializant neurologjie pranë Shërbimit të Neurologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në vitin 1998.

Prej vitit 2003-2004, kreu masterin “Rehabilitimi fizik në sëmundjen e parkisonit”, duke vijuar më 2011 me titullin PhD pranë departamentit të Neuroshkencave të Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2006 mori titullin e nderuar të “Pedagogut” në Fakultetin e Mjekësisë dhe Infermierisë. Arritjet e tij në shkencën e mjekësisë kaluan edhe kufijtë e Shqipërisë. Ai përfaqësoi mjekësinë shqiptare në konferencat dhe kongreset kombëtare dhe ndërkombëtare. SHBA, Itali, Greqi, Austri, Hong-Kong, Turqi, Angli, Republika Çeke, Kanada, Belgjikë, Gjermani, Francë e Kroaci ishin disa nga shtetet ku mjeku Drini Dobi la gjurmët e tij në fushën e neuroshkencës.

Ai ka qenë anëtar i Federatës Botërore të Neurorehabilitimit, Panelit të Neurorehabilitimit të Federatës Europiane të Neurologjisë, Panelit të Neurotoksikologjisë së Federatës Europiane të Neurologjisë, Shoqatës Ndërkombëtare të Çrregullimeve të Lëvizjes dhe Akademisë Amerikane të Neurologjisë. Ai humbi jetën në moshën 51-vjeçare si pasojë e COVID-19. Drini Dobi ishte jo vetëm prind dhe mjek i rrallë, por mbi të gjitha një nismëtar i diturive të reja, të cilat me dëshirë dhe vullnetin më të madh, ia transmetoi brezave të rinj të mjekësisë shqiptare.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.