Simpoziumi shkencor, Gjinushi takim me ministrin e Bujqësisë së Kosovës

TIRANË 2 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi zhvilloi një takim me ministrin e  Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Faton Peci dhe akad. Fetah Podvoricën, sekretar i Seksionit të Shkencave Natyrore të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Takimi u krye në praninë e Kryesisë së Akademisë së Shkencave, zëvendëskryetar akad. Vasil Tole, sekretar shkencor akad. Shaban Sinani dhe kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore, akad. Neki Frashëri.

Ky takim u bë në kuadër të simpoziumit shkencor triditor “Vreshtaria dhe verëtaria në hapësirën mbarëshqiptare”, që ka nisur sot punimet sot në orën 09:00 në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave dhe do të vijojë deri më 4 dhjetor.

Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunime të mëtejshme në fushat e verëtarisë dhe të bujqësisë, pyjeve dhe për çështje të tjera të ruajtjes dhe rigjenerimit të kulturave bujqësore e agrare, si dhe për ruajtjen e pasurive natyrore të pyjeve në të dyja vendet.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.