Shehu: “Ballkani i Hapur” synon të sfumojë nismat komunitare në rajon

TIRANË 2 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu deklaroi sot se nisma e Ballkanit të Hapur u ideua nga presidenti serb Vuçiç.

Në interpelancën e kërkuar me kryeministrin Edi Rama, Shehu tha se kjo interpelancë është e rëndësishme, sepse ka të bëjë me çështje dhe strategji që kanë lidhje me marrëdhëniet rajonale, shkëmbimet ekonomike, rolin në NATO dhe vizionin evropian.

“Pra si e tillë përfshin një gamë të gjerë ngjarjesh për Shqipërinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë me interesat e partnerëve tanë që përveç të tjerave janë përfshirë në rajon në një sërë iniciativash zhvilluese integruese gjithëpërfshirëse, si IPA CEFTA dhe deri te Procesi i Berlinit”, u shpreh Shehu.

“Pra, këtu kërkohet një diskutim i gjerë që duhej bërë para shpalljes së kësaj nisme minishengeni në Novi Sad që tenton kështu të sfumojë iniciativat komunitare në rajon. Dhe akoma më keq, që kërkonte dhe kërkon zëvendësimin e tyre me një nismë të tillë me protagonist dhe garant Vuçiç. Një iniciative që ju u bëtë mbështetës i nderuar Kryeministër. Nuk ka mënyrë më të mirë se kjo për të shkatërruar nismat komunitare, të vetmet thelbësore për zhvillimin, bashkëpunimin integrimin evropian të rajonit tonë”, tha ai.

Shehu shtoi se “disa ditë më parë ministrja e Jashtme këtu në Kuvend tha se kjo iniciativë nuk është e përgatitur në zyrat e PS-së, absolutisht jam dakord me atë se kjo iniciativë nuk është përgatitur në zyrat e PS-së dhe as në Ministrinë e Jashtme, ajo as nuk përgatit në një dialog të gjerë brenda vendit, ajo nuk u diskutua as me vendet e rajonit, ajo nuk u përgatit në diskutim me partnerët tanë me Brukselin, Uashingtonin, as me ato vende të rëndësishme si Gjermania, Italia, Greqia, Franca, Austria”.

“Në fakt ajo u ideua nga zyrat e Vuçiç, e bazuar mbi reminishencat e ëndrrës së Serbisë për Jugosllavin e Re pas shpërbërjes të asaj të vjetër. Pra, u ndërtua mbi një bazë politike nacionalizmi si dhe për interesa ekonomike dhe dominimi. Ajo u ndërtua në përputhje me vizionin gjeopolitik të Serbisë si firmuese e unionit Euro-Azia të Serbisë diametralisht i kundërt me BE”, theksoi Shehu.

Po ashtu, Shehu shtoi se “në fakt ajo është montuar si ngrehinë e përbashkët me një tjetër ide serbe që ka jetuar para pavarësisë së Kosovës për një rindarje të saj brenda territorit të Jugosllavisë apo të krijimit të Serbisë së Madhe me anë të shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi pas pavarësisë. Pra këtu kemi të bëjmë me një mbivendosje të dy projekteve atë të Serbisë së Madhe me një Jugosllavi të re duke tentuar të zbehet sovraniteti i Kosovës mbeturinat e së cilës dhe mund të bashkoheshin me Shqipërinë. Dhe ju Kryeministër u bëtë mbështetës i saj. Në fakt gishti jua ishte që në projektin e parë të shkëmbimit të territoreve por si pasoje e ndërhyrjes aktive të  partnerëve tanë të BE dhe SHBA-së u hodhët poshtë”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.