Rama: Në 2022 do të mbyllen të gjitha sportelet, shërbimet online

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ambicia e kësaj qeverie është që në vitin 2022 të mbyllen të gjitha sportelet në Shqipëri.

Gjatë takimit sensibilizues me qytetarët në Elbasan, mbi ligjin për Bashkëqeverisjen, Rama tha se “plani ynë është mbyllja e të gjitha sporteleve”.

“Nuk do të kemi më sportele. Ambicia ime është që në vitin 2022 në Shqipëri të mbyllen sportelet, sepse nëse ne i lëmë edhe sportelet, edhe sistemin e shërbimeve online nga ana tjetër, inercia vazhdon”, tha Rama.

Kryeministri solli si shembull edhe praktikën e ndjekur në Kryeministri, ku siç tha ai, “pas një vendimi të prerë që nuk pranohen më letra, gjithçka shkoi në rregull”.

“Qeveria jonë, në tryezën e vet me x ministra, nuk arrinte dot të mbyllte historinë e letrave, ndërkohë që kishim gjithë sistemin aty. U desh një vendim i prerë, që nuk pranohen më letra në Kryeministri dhe gjithçka shkoi në rregull”, tha Rama.

Por Kryeministri theksoi se “ka ende disa punë për t’u bërë që ta garantojmë qytetarin që mund ta gjejë atë që kërkon online dhe më pas ne do të mbyllim sportelet”.

“Ndërsa ata që janë mësuar të kërkojnë lekë do ta kenë të mbyllur sportelin dhe do të jenë në zyra duke marrë nga kompjuteri kërkesat e qytetarëve dhe duke plotësuar dosjet”, shtoi ai. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.