Pr.ligji për pastrimin e parave, Manja: Ngushton hapësirat për transaksione të dyshimta

TIRANË 2 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se miratimi i ndryshimeve në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave përmbush një detyrim për të përafruar legjislacionin tonë me të drejtën e BE-së.

Duke folur në Kuvend për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, Manja tha se ndërmarrja e nismës për propozimin e një pakete të madhe të ndryshimeve ligjore në të cilën përfshihet dhe ky projektligj është tregues i vullnetit politik të kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance, sepse Shqipëria nuk mund të jetë kurrsesi një vend që mund të kryejnë veprimtari të paligjshme të pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit.

“Me forcimin e këtij kuadri rregullator, në këtë  fushë ne i japim të gjitha instrumentet e duhura shtetit, organeve ligjzbatuese të parandalojnë dhe të ndjekin penalisht çdo person që përfshihet në këtë aktivitet të paligjshëm. Nga ana tjetër, ne garantojmë çdo operator të tregut qoftë bankë apo institucion tjetër financiar sepse me këto rregullime qartësohen përfundimisht dhe ngushtohen hapësirat për transaksione të dyshimta ligjore”, tha ai.

Manja shtoi se, “miratimi i këtij ligji përmbush një detyrim për të përafruar të drejtën e BE-së në këtë fushë dhe tregon gatishmërinë tonë dhe të qeverisë për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga integrimi, sepse jemi në një moment ku presim të fillojmë negociatat me BE dhe siç dihet kapitulli 23 dhe kriteri politik janë kapitulli i parë i negociatave që hapen me BE dhe që mbyllet i fundit”.

“Ndryshimet e propozuara, zvogëlojnë në maksimum rreziqet e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit nëpërmjet politikave, koordinimit dhe bashkëpunimit. Ndryshimet kanë fokus parandalimin e hyrjes së produkteve të veprave penale, apo veprimtarive kriminale si dhe të vendeve në mbështetje të terrorizmit në sektorin financiar, apo sektorë të tjerë. Një nga ndryshimet më të rëndësishme që ky projektligj bën është ai i zgjerimit të rrethit të personave të ekspozuar politikisht”, tha ai.

Në fund, Manja ritheksoi se miratimi i këtij projektligji ka rëndësi të posaçme në mbrojtje të interesave të vendit nga krimi financiar dhe financimi i terrorizmit dhe kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në stabilitetin, integritetin, rritjen dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar në Shqipëri dhe të ekonomisë në përgjithësi nëpërmjet zbulimit dhe goditjeve kriminale.

“Miratimi i këtij projektligji do ndikojë në nxjerrjen e Shqipërisë nga listave e vendeve nën monitorim të shtuar si dhe plotësimin e standardeve për përfarim të plotë të kuadrit ligjor me BE”, u shpreh ministri Manja.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.