Personat me aftësi të kufizuar protestë para Kuvendit, Rama: Do dëgjoheni nga ministrja

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Persona me aftësi të kufizuara protestuan sot para Kuvendit me kërkesën që të rimarrin ndihmën ekonomike prej 30.000 lekësh, pasi thonë se duan të jetojnë të pavarur ekonomikisht dhe t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.

Gjatë qëndrimit përpara Kuvendit, ata u takuan me kryeministrin Rama, i cili u zotua se do të dëgjohen nga ministrja e dikasterit përkatës për çështjet që ata kanë.

“Tani nuk mundem t’ju marr dot brenda, pasi kam lënë orar për vaksinën. Për momentin do t’ju presë ministrja. Të shohim se çfarë ka marrëveshja. Do t’i them ministres që t’ju takojë. Mos rrini më në shi. Do ta shikojmë marrëveshjen dhe besoj se brenda pak ditësh do t’ju kthejmë përgjigje”, u shpreh Rama.

“Nesër do të shkoj në SHBA dhe kur të kthehem do të komunikoj sërish me ju”, tha Rama.

Një prej personave me aftësi të kufizuar tha se “kemi nevojë të jemi të pavarur ekonomikisht, të mos kërkojmë lëmoshë, na jepni mundësinë të jetojmë të pavarur”.

Më pas, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj zhvilluan një takim me një grup përfaqësuesish të personave tetraplegjikë.

Manastirliu u shpreh në takim se, “do t’i shikojmë të gjitha kërkesat që ju keni, të cilat janë padyshim kërkesa që gjejnë bazë në ligjet aktuale”.

“Ashtu sikurse edhe ato kërkesa që janë nevoja që ju keni. Ne kemi të gjithë vullnetin e plotë për të parë të gjitha këto kërkesa së bashku me ministren e Financave. Në fakt, këto kërkesa janë adresuar dhe disa prej tyre janë tashmë të ezauruara. Ne kemi diskutuar dhe bashkë. Kemi bërë ndryshime esenciale në ligjin për asistencën sociale. Kemi përfshirë aty, ju e dini shumë mirë, të gjitha ato pika që nuk ishin të parashikuara në ligj, për të gjithë ata të cilët janë me aftësi të kufizuar dhe në 5 vitet e fundit nuk kishin kontribute, janë përshirë të gjithë. Gjithashtu edhe për ata persona me aftësi ndryshe, që punësohen dhe nuk i hiqet dhe ndihma e aftësisë pra i jepet edhe pse ata janë në punë. Deri dje ka qenë me një afat të kufizuar. Para miratimit të ligjit”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja Ibrahimaj tha se, “të gjitha pjesërisht janë adresuar, pjesërisht janë në program për t’u adresuar”.

“Do marrim të gjithë regjistrin e personave me aftësi të kufizuar, sipas aftësisë dhe do të bëjmë ne përpara se t’ju takojmë juve, një analizë mbi çfarë ka qenë, çfarë është ëbrë dhe çfarë pikash mund të diskutohen dhe sipas afateve kohore. Pra e marrim këtë angazhim që brenda javës së ardhshme ne të bëjmë këtë analizë”, tha Ibrahimaj.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.