La në fuqi zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, Kushtetuesja zbardh vendimin

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Gjykata Kushtetuese zbardhi sot vendimin e plotë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit 2019, duke rrëzuar kërkesën për ta shpallur procesin si antikushtetues.

Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese u paraqit nga Shoqata e Bashkive, por Kushtetuta përcakton se për të vënë në lëvizje gjykatën kjo duhej bërë nga “subjektet e përcaktuara nga vetë Kushtetuta si të tilla që të mund të kërkojnë gjykimin e një mosmarrëveshjeje kushtetuese”.

Vendimi është marrë me votë unanime, por një anëtare, Sonila Bejtja, ka paraqitur mendim ndryshe.

Në arsyetimin e saj, Bejtja thotë se ngjarjet para zgjedhjeve, duke nisur nga djegia e mandateve dhe bojkoti përbëjnë “mosmarrëveshje kushtetuese”.

Procesi zgjedhor në këto kushte, thotë anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, “përbën mohim të së drejtës së votës dhe cenim të së drejtës kushtetuese për votë të barabartë, të lirë dhe të fshehtë”, pasi në 31 bashki pati vetëm një kandidat.

Anëtarja Sonila Bejtja thekson se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion që të shqyrtojë një mosmarrëveshje të tillë, por “kërkesa nuk është paraqitur nga një prej subjekteve që legjitimohen për ta vënë në lëvizje atë”.

“Gjykata Kushtetuese, sipas Kushtetutës, gëzon juridiksion kushtetues të plotë që të shqyrtojë mosmarrëveshjen objekt gjykimi, por për shkak se kërkesa nuk është paraqitur nga një prej subjekteve që legjitimohen për ta vënë në lëvizje atë, sidomos subjektet e përcaktuara nga vetë Kushtetuta si të tilla që të mund të kërkojnë gjykimin e një mosmarrëveshjeje kushtetuese lidhur me përcaktimet e nenit 124 të Kushtetutës, kërkesa rrëzohet vetëm për këtë shkak”, thuhet në vendim.

Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të Presidentit të Republikës, Kryeministrit; jo më pak se një të pestës së deputetëve, Avokatit të Popullit ose Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Më tej, theksohet se kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese për verifikimin e zgjedhjes duhet të identifikojë funksionarin publik, shkeljen kushtetuese që pretendohet se është kryer gjatë procesit të zgjedhjes së tij, si dhe aktin konkret që materializon shkeljen kushtetuese.

Për pasojë, arsyeton vendimi, procedura e verifikimit të zgjedhjes së funksionarëve të organeve të parashikuara nga Kushtetuta duhet parë e lidhur me këto koncepte dhe jo e lidhur me vlerësimin, qoftë edhe në aspektin e kushtetutshmërisë, të procesit zgjedhor në tërësinë e tij.

Më tej, Gjykata vlerëson se në çështjen e paraqitur nga kërkuesja (Shoqata e Bashkive të Shqipërisë), nuk është individualizuar funksionari/funksionarët e organeve kushtetuese, për të cilët kërkohet verifikimi i zgjedhjes së tyre, shkelja kushtetuese që pretendohet se është kryer gjatë procesit të zgjedhjes, si dhe akti konkret që materializon shkeljen kushtetuese.

Nga ana tjetër, kërkuesja (Shoqata e Bashkive të Shqipërisë), nuk është as subjekt zgjedhor dhe as organ kushtetues me kompetenca në procesin zgjedhor.

/m.m/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.