Fuqizim i mekanizmit parandalues në pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit

TIRANË 2 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit është i harmonizuar me dispozita e këtij ligji në përputhje me direktivën e ndryshuar të BE-së.

Duke folur për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, Ibrahimaj u shpreh se ky muaj intensiv i prezantimit në Kuvend i buxhetit 2022 nuk ka lënë jashtë vëmendjes së Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe të qeverisë një angazhim nga më kryesorët, atë të forcimit të luftës kundër pastrimit të parave, financimin e terrorizmit dhe luftën kundër korrupsionit.

“Ministria e Ekonomisë dhe Financave raporton në nivel global te taksforca e veprimtarisë financiare FATF dhe si rrjedhojë ndjek zbatimin e politikave dhe planet e dakordësuar në tetor të vitit 2018 si pjesë e planit të përbashkët kundër terrorizmit ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, në nivel rajonal Ministria e Ekonomisë dhe Financave raporton në Komitetin e Ekspertëve për Mbikëqyrjen Financiare mbi adresimin e rekomandimeve të MONEYVAL dhe grupit të posaçëm për veprimin financiar. Pikërisht për të qenë në linjë me rekomandimin e këtyre organizatave dhe me standardet ndërkombëtare kemi marrë nismën ligjore të rishikimit të ligjit organik të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave duke harmonizuar dispozita e këtij ligji në përputhje me direktivën e ndryshuar të BE-së mbi parandalimin dhe përdorimin e sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Një angazhim ky i premtuar dhe i mbajtur për t’u përmbushur brenda këtij viti”, u shpreh Ibrahimaj.

Në vijim, Ibrahimaj shtoi se, “qëllimi madhor i ndryshimeve ligjore është fuqizimi i mekanizmit parandalues në pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit duke kontribuar në fushën e sigurisë kombëtare dhe globale nga njëra anë dhe në përmbushje të detyrimeve tona në procesin e integrimit evropian”.

“Ky ligj me ndryshimet e tij sjell rishikimin e rikategorizimit të subjekteve raportuese duke bërë qartësimet e nevojshme të cilat në ligjin aktual lënë vend për ambiguitet si për kategorinë e subjekteve të ekspozuar politikisht apo familjarët e tyre apo duke kategorizuar veçmas audituesit, kontabilistët e miratuar dhe këshilltarët tatimorë si subjekte raportuese”, u shpreh Ibrahimaj.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.